Mosfurnizimi stabil me energji eklektike vazhdon t’u shkaktojë dëme të mëdha financiare bizneseve që funksionojnë në Kosovë. Mungesa e rrymës, sipas drejtuesve të shoqatave të bizneseve, si dhe biznesmenëve, po u shkakton 300 milionë euro dëme bizneseve, vetëm në një vit.
Kështu, nëse bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, i bie që, që nga paslufta, dëmet e bizneseve nga mos furnizimi stabil me energji elektrike kapin shuma të frikshme – vetëm nga viti 2000 e deri më 2018, bizneset kanë pasur humbje miliardëshe.
Dhe avazi i vjetër po vazhdon. Përmirësimet nuk janë vënë në pah, edhe pse Qeveria e Kosovës ka privatizuar rrjetin e distribuimit dhe të furnizimit me energji elektrike.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka thënë në një prononcim për Telegrafin se mos furnizimi stabil dhe i pandërprerë me energji elektrike është duke shkaktuar dëme të mëdha bizneseve vendore.
“Për bizneset, mosfurnizimi i rregullt me energji elektrike është në mesin e top tri barrierave kryesore ndër vite. Mesatarisht, 300 milionë euro në vit janë dëmet direkte dhe indirekte nga mungesa e furnizimit stabil me energji elektrike”, vlerëson Rukiqi.
Ndërsa pronari i kompanisë Frutex, Shaqir Palushi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se reduktimet e energjisë elektrike u shkaktojnë dëme të mëdha financiare bizneseve.
Sipas tij, reduktimet e shpeshta ndikojnë edhe në prishjen e pajisjeve. “Mendoj se A-ja dhe ZH-ja e problemeve të bizneseve në Kosovë është mungesa e energjisë elektrike. Edhe pse ky vit ka qenë premtues, prapë se prapë kemi pasur probleme me reduktime të jashtëzakonshme. Kjo përveç që e rrit koston e prodhimit, shkakton edhe dëme të paevitueshme në prodhim. Ndryshimet në furnizim shkaktojnë probleme edhe në pajisjet e kompanisë dhe avari të shpeshta”, thotë Palushi.
Ai ka treguar se nga mungesa e rrymës kanë dëme mijëra euro në vit. “Kostoja vjetore e reduktimit të energjisë në kompaninë tonë është mbi 200 mijë euro, qoftë në dëmet që shkaktohen nga reduktimet apo defektet tjera si pasojë e aktivizimit të gjeneratorëve”, tha Palushi.
E për tejkalimin e problemit me furnizim me rrymë, vlerësojnë ekspertët, duhet ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike siç është projekti i Termocentralit “Kosova e Re” i cili supozohet të prodhojë me kapacitete prej 450 megavatëve dhe për të ndërtimin e të cilit thuhet se nevojitet një investim prej 1.3 miliard euro.