Vendimi i Qeverisë për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit, sipas drejtorit të organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, është një tendencë e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj, që të krijojë lidhje me këto biznese.
Demhasaj, në një intervistë për “Kohën Ditore”, ka vlerësuar se një vendim i tillë është arbitrar dhe se ai ka prodhuar një precedent, të cilin mund ta shfrytëzojnë edhe kompani të tjera, duke mos paguar tatimet ndaj shtetit. Sipas tij, standardi i vendosur me këtë vendim është i rrezikshëm dhe krijon një konkurrencë jo të drejtë mes bizneseve që paguajnë tatime dhe atyre që nuk paguajnë.
Për Demhasajn, vendimi me të cilin falen 59 milionë euro ka qenë i panevojshëm kur dihet se në Kosovë ekziston ligj për faljen e borxheve publike. Sipas tij, nëse vërtetohet se nuk ka ndonjë mundësi tjetër që do të obligonte qytetarët apo bizneset që të paguajnë ato borxhe, atëherë duhet që të krijohen disa kritere dhe kushte për falje të tyre e jo të shkohet me emra të kompanive, qytetarëve apo individëve, e me vendime t’iu falen borxhet.
Demhasaj ka thënë se hetuesia duhet të merret me këtë rast dhe të shohë nëse ka ndonjë vepër penale, pasi, sipas tij, ka mundësi që ndonjë individ me ndikim në Qeveri të ketë ndikuar në marrjen e këtij vendimi.