Demhasaj: Qeveria duhet t’i marrë me seriozitet mesazhet e Stoltenberg

Prishtinë | 21 Nën 2023 | 22:11 | Nga Ekonomia Online

Analisti, Arton Demhasaj, tha se Qeveria e Kosovës, duhet t’i marrë me seriozitet mesazhet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili më 20 nëntor ka qëndruar në Kosovë.

Në kuadër të diskutimit për turin e Stoltenberg në disa shtete të rajonit, Demhasaj vlerësoi që tani e tutje Kosova duhet të ketë kujdes në çdo veprim që ndërmerr në veri.

“Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë me seriozitet mesazhet e shefit të NATO-s dhe të kujdeset për çdo veprim që e merr në veri. Duhet të kenë veprime të koordinuara mirë, sidomos me KFOR-in, normalisht edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që pastaj çdo veprim i mundshëm që mund të ndodhë në veri, të mos i faturohet Kosovës. Serbia

tani po e luan lojën e dyfishtë, në njërën anë me Rusinë dhe Kinën, në anën tjetër me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e për këtë lojë, besoj që do e tolerojnë gjatë për aq kohë sa nuk cenohen të drejtat e tyre”, deklaroi Demhasaj në emisionin “Këndi i Debatit”.

Kujtojmë se gjatë vizitës në Prishtinë, e cila është në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa, që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës, tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë./teve1.info/.

Të ngjashme