Takimi i sotëm ndërmjet kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, më shumë gjasë mund të jetë vetëm një numër më shumë i takimeve që janë realizuar në Bruksel. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, analisti politik Arton Demhasaj.
Demhasaj ka thënë se asnjë rezultat nuk është arritur deri më tani dhe se për këtë “fajtor” është edhe Bashkimi Evropian, e cila sipas tij ka dështuar t’i obligojë palët t’i kryejnë obligimet e tyre.
“Pothuajse gati dy vite të dakordimit të këtyre marrëveshjeve, zbatimi është zero atëherë më shumë gjasë mund të jetë vetëm një numër më shumë i takimeve që janë realizuar në Bruksel, sepse nuk mund të pritet që palët kanë me dalë edhe kanë më pranu obligimet e tyre”, ka thënë Demhasaj.
“Bashkimi Evropian, po dështon që palët më i obligu për më i realizu obligimet që dalin nga marrëveshjet e dakordume në Bruksel dhe për aq kohë sa Bashkimi Evropian, nuk ka më kalu prej rolit të lehtësuesit në një rol të ndërmjetësuesit dhe në një rol që vendos afate kohore, për secilën obligim që palët e kanë pranuar në marrëveshje mendoj që dialogu ka më vazhdu kështu me qenë i pasuksesshëm andaj Bashkimi Evropian, është momenti për më ndryshu qasjen dhe momentin kur marrëveshjet dakordohen në Bruksel apo kudo tjetër palëve do të iu caktojnë obligimet dhe njëkohësisht afatet kohore kur duhet secila palë ato obligime më i kërku, nëse nuk vazhdon kështu dialogu ka më vazhdu sikurse në të kalumen, pra pa sukses pa zbatim të marrëveshjeve dhe me mbet thjesht duke u mbajt takime të kota qysh ka ndodh deri më tash”, ka thënë ai.
Gjithashtu, një specifikë e cila e konfirmon se nuk do ketë ndonjë pajtim mes dy palëve sot në Bruksel, sipas Demhasaj, është edhe përfundimi i mandatit të emisarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesit të lartë për dialog, Joseph Borrell.
“Thjesht derisa po flasim për përfundim të mandatit të Lajcak dhe njëkohësisht edhe Borrell, këta nuk kanë arrit kur kanë pas mandat të plotë më i bind palët për më i realizu obligimet e tyre që derivojnë nga marrëveshjet sot nuk pres që ka më pas dicka konkrete”, ka thënë Demhasaj për EO.