Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot të pafajshëm 11 personat e akuzuar për rastin “Pronto”, në mesin e tyre ish-deputetin e PDK-së, Adem Grabovcin, ish-ministrin e Inovacionit, Besim Beqajn dhe ish-deputetin e PDK-së, Zenun Pajazitin.
Këtë vendim të Gjykatës, Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu” e ka cilësuar skandaloz, përderisa ka pasur prova dhe fakte, siç thotë ai, Gjykata ka marrë vendim amnistues.
”Në këtë rast në masë të madhe është parë nga përgjimet se sa është folur dhe sa është diskutuar për punësimet, duke anashkaluar proceduarat e rregullta ligjore. Po e shohim se Gjykata ka marrë vendim amnistues. Vërtetë është një vendim skandaloz, përderisa ka pasur prova dhe fakte në publik. Është parë qartë se si është manipuluar me punësime dhe gjëra të tilla dhe në fund të fundit kanë përfunduar me aktgjykim lirues”, tha Demhasaj raporton “Front Online”.
Sipas tij, edhe partnerët ndërkombëtar, Bashkimit Evropian dhe SHBA-të, gjëja e parë që i kërkojnë Kosovës, është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar e që sipas tij, me vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore ka ndodhur e kundërta.
“Ky vendim i Gjykatës mundet me pasë pasoja edhe në çështjen e liberalizimin e vizave për Kosovën me Bashkimin Evropian”, përfundoi Demhasaj.
Ndryshe, 11 zyrtarët e rastit “Pronto” janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë