Përfaqësuesit e shoqërisë civile, Agron Demi dhe Donika Emini, kanë thënë se sistemi në Kosovë nuk është plotësisht demokratik. Të dy kanë thënë për Deskun e KOHËS se Kosova është shtet i kapur.
I pyetur se a ka Kosova sistem demokratik, Demi ka thënë se Kosova nga jashtë duket shtet demokratik, por brenda në thelb është në pronësi të individëve.
“Ajo që ndodh në Kosovë është se nga jashtë duket shtet demokratik, por Kosova është më shumë do të thosha neopatrimonale, jo aq demokratike. Është fasadë ku shteti nga jashtë duket demokratik, ka institucione qeverisëse, ka procese zgjedhore, zgjedhje të qeta, institucione gjyqësore, Gjykatë Kushtetuese, por në thelb është shtet në pronësi të individëve apo grupeve të caktuara që përdorin fasadën për nevoja të tyre për të mbajtur pushtetin e për t’u dukur jashtë si shtet demokratik. Është prezent tek ne”, ka thënë ai.
Sipas tij, “kjo më së miri po duket me rrëzimin e Qeverisë në një kohë pandemie dhe zhvillimet e fundit politike”.
“Ajo që ndodhi në zgjedhjet e fundit është se për herë të parë në 12 vjetët e fundit patëm ndryshim rrënjësor në qeverisje. Kjo nuk është materializuar edhe me natyrën qeverisëse sepse forcat jashtë sistemit legal ishin aq të forta sa s’lejuan ndryshim”, ka shtuar Demi.
Ai ka kujtuar se Kosova edhe në raportet e “Freedom House” nuk klasifikohet si sistem demokratik me liri të mirëfillta me sistem gjysmëautoritar.
Ndërkaq Donika Emini ka thënë se demokracia në vend është duke pësuar rënie.
Sipas saj është vështirë të definohen nuancat mes demokracisë dhe sistemeve autoritare.
“Në rastin e Kosovës duket që tranzicioni ka marrë më shumë kohë se sa kemi pritur. Janë ndërtuar disa elemente të demokracisë, por shteti është i kapur. Studiuesit kanë ardhur me shumë etiketime si demokraci liberale, elektorale apo fragjile e së fundmi kemi dëgjuar edhe për demokracinë që shkon prapa me hapa. Ka elemente demokratike, por nuk kanë siguruar funksionim të shëndetshëm të një shteti demokratik. Koha e pandemisë e ka bërë edhe më sfiduese demokracinë në botë”, ka deklaruar ajo duke shtuar se “Qeveria Kurti shfaqi tendenca të çkapjes së shtetit”.