Edhe pse janë ndarë prej më shumë se 20 vitesh, Bruce Willis dhe Demi Moore mbeten miq të mirë edhe sot e kësaj ditë.
Gjatë promovimit të serialit të saj të fundit ““Feud: Capote vs. The Swans”, aktorja amerikane zbuloi të rejat e fundit rreth shëndetit të ish-bashkëshortit.
“Mendoj, se duke parë atë që po kalon, është mjaft mirë”, tha Moore gjatë një interviste në një emision televiziv në SHBA.
Në vitin 2022, u deklarua se heroi i filmave aksion do të ndërpriste karrierën për shkak të problemeve shëndetësore. Më vonë ai u diagnostikua me demencë frontotemporale, një sëmundje që dëmton trurin në mënyrë progresive.
Moore dhe Willis u divorcuan në vitin 2000 dhe kanë 3 vajza, Rumer, Scout dhe Tallulah.
“Ua them edhe vajzave, është e rëndësishme që të takohemi kudo që jemi dhe të mos mendojmë për gjërat e këqija”, tha Moore.
Pas ndarjes nga Demi Moore, Willis u martua me Emma Heming, me të cilën ka 2 vajza të vogla.