“Demokraci Plus” identifikon shkelje në disa tenderë të ndërmarrjeve publike
Organizata Demokraci Plus ka identifikuar disa shkelje në tenderë në katër ndërmarrje publike.
Në raportin që kjo organizatë e ka publikuar të enjten janë analizuar tenderë në katër ndërmarrje publike, “KRM Ekoregjioni”, “Hidroregjioni Jugor”, “Ndërmarrja Publike Banesore” dhe “Hortikultura”.
Raporti përfshin katër tenderë, “Furnizimin me pajisje për dixhitalizimin e faturimit dhe bizneseve për nevoja të KRM Ekoregjioni”, “Furnizimin me material higjienik për nevojat e kompanisë Hidroregjioni Jugor”, “Vlerësimin e pronave të Ndërmarrjes Publike Banesore” dhe “Brendimin dhe dixhitalizimin e ndërmarrjes lokale Hortikultura”.
Sipas raportit “KRM Ekoregjioni” ka kufizuar konkurrencën duke kërkuar një çertifikatë ISO e cila nuk është relevante me natyrën e furnizimit. Si rrjedhojë tyhuhet se në këtë aktivitet ka aplikuar vetëm një operator ekonomik.
Në raport thuhet se ndërmarrja publike rajonale “Hidroregjioni Jugor” ka nënshkruar kontratë 10,461.00 euro më pak se vlera e parashikuar dhe si rezultat i mosanalizimit të çmimit të tregut thuhet se ka vështirësuar përdorimin e këtyre mjeteve në këtë vit buxhetor.
“Ndërmarrja Publike Banesore, pas dështimit të aktivitetit të prokurimit të vitit 2022, në aktivitetin e njëjtë të vitit 2023 ka bërë disa ndryshime në dosjen e tenderit, të cilat kanë ulur numrin e ofertuesve; Ndërmarrja publike lokale Hortikultura, ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik që nuk ka plotësuar kërkesat në dosje të tenderit, rrjedhimisht ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik të papërgjegjshëm”, thuhet në njoftimin e organizatës për këtë raport.