Kongresmenët demokratë, ditën e mërkurë kanë parashtruar zyrtarisht planin për thirrjen e presidentit Donald Trump në një interpelancë.
Shkak janë bërë lidhjet e djalit të tij me një avokate ruse. Djali i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump Junior, është shprehur së fundmi se babai i tij nuk ka qënë në dijeni të takimit të zhvilluar me avokaten Natalia Veselnitskaya, e cila njihet për lidhjet e saj me qeverinë ruse.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për Fox News, djali i Presidentit nënvizon se biseda që zgjati për afro 20 minuta ishte një humbje kohe, të cilën ai as nuk do t’a rikujtonte po të mos kishte qenë për mediat amerikane, që sipas tij e risollën në skenë për të prodhuar lajme false.
“Ishte diçka pa asnjë vlerë, nuk ka asnjë gjë për të treguar. Dua të them, unë as që do t’a kisha mbajtur mend në rast se ju mediat nuk do të kishit filluar të kontrollonit gjëra të tilla. Ishte në kuptimin e plotë të fjalës një humbje kohe prej 20 minutash dhe një turp i vërtetë.”
Më tej, Donald Trump Junior deklaron se takimi u realizua në kohën kur nuk kishte nisur ende mania e të folurit për Rusinë. Megjithatë, ai shtoi se duke e parë në retrospektivë, ndoshta do të kishte vepruar ndryshe përballë një situate të tillë.
Më herët, Trump Jr publikoi edhe emailet që kishte shkëmbyer me Rob Goldstone, i cili ishte edhe ndërmjetësi në këtë takim. Sipas ekspertëve, kjo përbën provën më të qartë se zyrtarët e fushatës së Donald Trump kanë qenë të hapur për mbështetjen e Rusisë për të fituar zgjedhjet, ndërsa nënvizojnë organet e drejtësisë duhet të vijojnë hetimet mbi këtë bazë.