Demokratët nga të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë bashkuar prapa vendimit të Joe Bidenit për ta caktuar senatoren e Kalifornisë Kamala Harris si kandidate për postin e zëvendëspresidentes.
Ish-presidenti Barack Obama ka thënë se Harrisi është e përgatitur për këtë sfidë të re. Ai ka shkruar se afro-amerikania gjithë karrierën e saj ia kushtoi mbrojtjes së Kushtetutës dhe amerikanëve.
Në anën tjetër, Hillary Clinton, ish-kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, që u mposht në zgjedhje nga presidenti Trump, ka shkruar se Harrisi e ka treguar veten si një shërbyese dhe lidere e shërbimeve publike.
Harris ka qenë njëra prej rivaleve të Bidenit në garën demokratike për nominim, por u dorëzua në fund të vitit 2019. Ajo njihet si politikane progresive dhe është lavdëruar për politikat e saja edhe nga rivalët e tjerë zgjedhorë demokratë, Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren.
Por, pos lavdeve, për Harrisin janë adresuar edhe kritika.
Vetëm pak kohë pas emërimit të saj, presidenti republikan e ka quajtur demokraten afro-amerikane majtisten më liberale që ka garuar ndonjëherë për postin e zëvendëspresidentit.
“Ajo është personi që ka thënë shumë të pavërteta”, ka thënë presidenti, që e ka vënë nënshkrimin e tij prapa më se 200 mijë të pavërtetave e keqinterpretimeve prejse u bë shef i Shtëpisë së Bardhë.
Ai gjithashtu e quajti demokraten si të “ndyrë”, shprehje kjo që ai shpesh e ka përdorur edhe ndaj kundërshtares së tij të vitit 2016, Hillary Clinton.