Rastet e rënda penale siç janë vrasjet e dhunimet, kanë kthyer edhe një herë vëmendjen e opinionit që dënimi me vdekje të kthehet në kodin penal të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse është e pamundur si proces, njohësit e sistemit të drejtësisë kanë mendime të ndryshme nëse dënimi me vdekje duhet të rikthehet apo jo.
Dënimi më i lartë në Kosovë, është ai me burgim të përjetshëm, ndonëse ndodh që palët e dëmtuara shpesh shprehen të pakënaqura.
Avokati Tomë Gashi, konsideron se dënimi me vdekje është duhet të rikthehet për rastet e rënda, siç janë vrasjet e rënda e përdhunimet.
Ai përmend edhe shtetet në Amerikë që e praktikojnë dënim të tillë.
“Kemi pasur dënime maksimale deri në 40 vjet. Me ndryshimet ligjore të kodit penal të Kosovës të vitit 2013, është paraparë edhe dënimi me burgim të përjetshëm, por ne nuk kemi dënim me vdekje. Në 32 shtete të Amerikës e kanë dënimin me vdekje. Shtetet e Bashkimit Evropian nuk e kanë dënimin me vdekje”.
“Nëse flas si qytetar i Kosovës, për rastet e krimeve të rënda që vijnë vrasjet, dhunimet dhe çështje të tjera të rënda, unë jam për dënimin me vdekje, dhe besoj që asnjë dënim për vrasjet e rënda, nuk mund të jetë adekuat dhe nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit nëse nuk ekziston së paku një dënim së paku si frikësim apo kërcënim që një person që kryen vrasje apo vepra të rënda penale, të mendojë dy herë sepse mund të jetë veprimi i fundit i tij, nëse në procedurat e rregullta gjyqësore i shqiptohet dënimi me vdekje”, u shpreh Gashi.
Duke folur për këtë proces, Gashi thotë se dënimin me vdekje mund ta rikthejë vetëm Kuvendi i Kosovës.
“I vetmi institucion që mundet me rikthyer dënimin me vdekje, është Kuvendi i Kosovës, nëse paraqitet kërkesë për ndryshimin e kodit penal sa i përket dënimit adekuat. Ne kemi pas raste të trishtueshme që kanë ndodhur në Kosovë pas luftës, kur ka pasur vrasje tejet të rënda që e kanë shokuar opinionin dhe vetëm në disa raste janë shqiptuar dënime me burgim të përjetshëm dhe një pjesë e atyre dënimeve janë modifikuar. Mendoj që së paku së kërcënim do duhej që për rastet më të rënda të kemi mundësinë e shqiptimit edhe të dënimit me vdekje”, u shpreh ai për EO.
Por ndryshe nga Gashi mendon avokati tjetër, Arbër Jashari. Ai për Ekonomia Online, e quan proces të vdekur në kuptimin e ligjit.
“Praktikisht është e pamundshme që të kthehet. Dënimi me vdekje, mendoj që është i vdekur në kuptimin e ligjit. Nuk ka asnjë shans që të kthehet. Kushtetuta e Kosovës, neni 25 e ndalon decitivisht, po ashtu edhe protokolli i gjashtë i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut e ndalon, dhe Kosova është vend që aspiron që të integrohet në Evropë që ka legjislacion modern, dhe pikërisht ky legjislacion nuk parasheh dënime të tilla të cilat janë të tejkaluara dhe që nuk mund të kthehen defacto, përderisa ekzistojnë këto rrethana dhe këto kushte”, thotë Jashari.
Që nga vitit 1999, dënimi me vdekje është larguar nga koha e UNMIK-ut, që në krye të këtij institucioni ishte Bernard Kouchner.
I njëjti dënim, thotë Jashari është zëvendësuar me burgim të përjetshëm.
“Dënimi me vdekje është suprimuar nga ana e administratorit Bernard Kouchner në vitin 1999, pastaj legjislacioni penal që është miratuar, nuk e ka paraparë si dënim, mirëpo e ka paraparë dënim me burgim afatgjatë deri në 40 vjet, pastaj dënimi me burgim afatgjatë është zëvendësuar me dënim të përjetshëm. Tani për tani, dënimi me burgim të përjetshëm është dënimi më i lartë që mund t’i shqiptohet një kryerësi në dy rrethana veçanërisht rënduese dhe kur vepra penale ka rezultuar me pasoja shumë të rënda”, u shpreh ai.