Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Bali Reçica, duke e dënuar me 10 vjet burgim për vrasjen e djalit të dajës F.K.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Reçica u shpall të premten, nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme për të akuzuarin Bali për veprën penale “Vrasje”, ndërsa e njëjta gjykatë e kishte liruar nga akuza për veprën penale “Sulmi” të akuzuarin Baki Reçica.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bali Reçica dënohet me 10 vjet burgim për veprën penale “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”, nga neni 172 lidhur me nenin 12, par.3 dhe 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Dënimi me burgim, të akuzuarit do t’i ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në dënimin me burgim, atij do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 7 shtatori 2019.
I akuzuari po ashtu detyrohet të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 300 euro dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.
Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt civil.
Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 mars 2022, pas ricilësimit të veprës penale, i kishte dënuar me 18 vite burgim të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica, për akuzën se kishin privuar nga jeta djalin e tyre të dajës, F.K. Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bali Reçica ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 15 vitesh burgim, kurse i akuzuari Baki Reçica, ishte dënuar me 3 vite burgim.
Pas shqyrtimit të ankesave të palëve, në procedurë ankimore, Gjykata e Apelit më 19 korrik 2022, e ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, ashtu që Baki Reçicën e ka shpallur fajtor për veprën penale “Sulmi” nga neni 184, paragrafi 1. i Kodit Penal, dhe e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 10 muajve burgim. Kurse, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë në pjesët tjera kishte mbetur i pandryshuar, ndërsa ankesat tjera ishin refuzuar si të pabazuara.
Ndërkaq Gjykata Supreme, më 30 janar 2023, sa i përket të akuzuarit Bali Reçica, pasi i vlerësoi pretendimet nga kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, konstatoi se kërkesat e avokatit Skender Musa ishin të bazuara dhe e ktheu çështjen në rigjykim në shkallën e parë, përkitazi veprën penale “Vrasje”, ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje kishte mbetur e pandryshuar.
Ndërsa, e njëjta vendosi që pretendimet nga kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë së mbrojtësit të të dënuarit Baki Reçica, avokatit Fanol Krasniqi, janë të bazuara, me ç ‘rast të njëjtin e ka liruar nga akuza për veprën penale “Sulmi”.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 janar 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica më 7 shtator 2019, në rrugën “Lidhja Prizrenit”, në Lipjan, para shtëpisë së tani të ndjerit F.K dhe shtëpisë së të akuzuarve Reçica, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin F.K, të cilin e kanë pasur djalë të dajës.
Në aktakuzë thuhet se pasi kushëriri i tyre, dëshmitari Muhamet Reçica, derisa ishte duke punuar për të akuzuarit, kishte shkuar për të hedhur karrocën me mbeturina betoni afër shtëpisë së tani të ndjerit F.K, përkatësisht në pronën kontestuese, për të cilën për 10 vjet kishin mosmarrëveshje në mes të dy palëve, tani i ndjeri nuk e kishte lejuar që ta hedh bërllokun me arsyetimin se i pengonte para shtëpisë.
Sipas aktakuzës, pastaj dëshmitari Muhamet ishte kthyer dhe e kishte informuar të akuzuarin Baki, i cili e kishte marrë karrocën me mbeturina dhe sipas marrëveshjes në mes tyre dy të akuzuarit kishin shkuar në vendin e ngjarjes për të hedhur bërllokun, ndërsa pas tyre ishte nisur dëshmitari Muhamet Reçica dhe me të mbërritur, tani i ndjeri iu kishte thënë “kthehuni mbrapa se nuk keni me zbraz kolicë me mbeturina këtu”, ndërsa i akuzuari Baki me vendosmëri i kishte thënë “pse nuk bën, unë bash këtu kam me e zbraz”, dhe e ka lëshuar karrocën nga dora.
Siç thuhet në aktakuzë, tani i ndjeri F.K, kishte reaguar për t’i penguar, e pastaj të akuzuarit Reçica me dashje që ta privojnë nga jeta e kanë goditur fillimisht me kaçavidë dy herë në gjoks, ku tani i ndjeri F.K, në vetëmbrojte ka marrë një shufër metalike nga toka dhe me të e ka goditur të akuzuarin Bali, ndërsa i akuzuari Bali e ka goditur atë me thikë tek zemra, ndërkohë i akuzuari Baki e ka goditur me shufër pas kokës, ku pas lëndimeve të ndjerin e kishin dërguar në QKUK në Prishtinë, ku të njëjtën ditë ka ndërruar jetë.
Për këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit Baki dhe Bali Reçica në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, pika 1.3 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal, ndërsa të akuzuarin Bali Reçica, Prokuroria e ngarkonte edhe për armëmbajtje pa leje, për shkak të thikës që i akuzuari e kishte përdorur në këtë rast.