Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shqiptuar dënim me gjobë prej 2 mijë e 500 euro, ndaj të akuzuarit Argjent Hoxha për akuzën se në cilësinë e zyrtarit të Postës ka falsifikuar dokumentin zyrtar.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të martën, kryetari i trupit gjykues Drilon Haraçia, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, Gjykata të akuzuarit Hoxha i shqiptoi dënim me 6 muaj burgim, por me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Hoxha, avokatit Ylli Bokshi, dënimi i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë e 500 euro.
Po ashtu, të akuzuarit iu shqiptua dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik në afat prej 4 viteve nga dita kur ky aktgjykim bëhet i plotfuqishëm.
I akuzuari u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës gjyqësore dhe atë paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 100 euro, si dhe 50 euro të tjera në emër të kompensimit të viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Ndërsa, të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzuan në kontest të rregullt civil.
Paraprakisht, në këtë gjykim u dhanë fjalët përfundimtare, ku prokurorja Beqiraj-Hyseni tha se pas mbajtjes së seancave të kësaj çështjeje dhe administrimit të provave, ka ardhur në përfundim se është vërtetuar që i akuzuari Hoxha ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
“I njëjti ka falsifikuar librin e dorëzimit të dërgesave postare duke nënshkruar tek rubrika e pranimit tek klientët e Postës në emër të tyre. Këtë fakt na kanë vërtetuar të gjithë të dëmtuarit e dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve, të cilët kanë deklaruar se nuk e kanë pranuar dërgesën dhe se nuk kanë nënshkruar as ata dhe as familjarët e tyre”, tha prokurorja.
Ajo tha se i pandehuri ka nënshkruar dhe dërgesat nuk i ka dorëzuar dhe se këtë e vërteton edhe raporti i inspektimit.
Beqiraj-Hyseni i propozoi Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, si dhe ta obligojë në kompensimin e shpenzimeve të procedurës penale.
Si rrethanë rënduese, propozoi të merret fakti se i njëjti në asnjë moment nuk ka shprehur keqardhje për veprimet e tij, duke marrë parasysh faktin se i njëjti e ka ditur se si duhet të dërgohen dërgesat pasi që ka kohë të gjatë që ka punuar në Postë.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Ylli Bokshi, në fjalën përfundimtare tha se është obligim i Prokurorisë të ndërtojë aktakuzën përtej dyshimit të bazuar mirë dhe t’i argumentojë pretendimet në aktakuzë.
Ai konsideron se në këtë çështje së pari nuk është përcaktuar saktë përshkrimi ligjor i kësaj vepre penale pasi që konsideron se i mbrojturi i tij nuk mund të konsiderohet person zyrtar.
“Sipas nenit 113 të KPRK-së, përkufizimi i personit zyrtar është shumë i qartë dhe preciz, paragrafi 2 përcakton se çfarë është person zyrtar”, tha avokati Bokshi.
Ai tha se i mbrojturi i tij nuk është i zgjedhur apo i emëruar, por është punjonës me kontratë të punës.
“Siç e kam cekur edhe në fjalën hyrëse, rëndësia e punës së shpërndarësit të Postës, për nga hierarkia është e parafundit”, tha avokati Bokshi.
Avokati, në fund tha se në këtë çështje është dashur që Prokuroria pretendimet për nënshkrimet e falsifikuara t’i argumentojë me ekspertizë grafologjike.
“Duke pasur parasysh këto, Prokuroria s’ka arritur të argumentojë përtej dyshimit të bazuar mirë se i mbrojturi im ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, tha avokati Bokshi.
Në këtë seancë, i akuzuari Hoxha është mbrojtur në heshtje.
Ndërsa, paraprakisht u dëgjua dëshmitari Shefqet Fazliu, shef i Inspektoratit në Postën e Kosovës, i cili tha se shumica e konsumatorëve kanë deklaruar se nuk i kanë pranuar dërgesat, e në mesin e tyre ka pasur edhe klientë si gjykatat dhe përmbarues privatë.
Ai tha se së pari për çështjen e të pandehurit Hoxha, ka njoftuar regjioni në Drejtorinë Operative në Prishtinë.
“Drejtoria Operative ka kërkuar nga kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës që të na mundësojë autorizimin lidhur me inspektimin e rastit”, tha dëshmitari.
Fazliu shtoi se janë konstatuar shumë parregullsi që kanë të bëjnë me shpërndarjen e dërgesave postare tek klientë të ndryshëm.
“Në librin e dorëzimit të shpërndarësit të postierit janë paraqitur si të dorëzuara dhe të nënshkruara me nënshkrimin e marrësit, ndërsa kur i kemi kontaktuar palët, kanë deklaruar të kundërtën se nuk është nënshkrimi i tyre”, tha dëshmitari Fazliu.
Ndërsa, dëshmitarja Brikenda Kryeziu, ushtruese e detyrës së kryeshefes së Postës në Gjakovë, tha se ankesat lidhur me të pandehurin kanë qenë të shpeshta gati çdo ditë.
Ajo tha se ankesat kryesisht kanë qenë në lidhje me vonesat ose me mosdërgimin e dërgesave, të cilat kanë shkaktuar dëme financiare ose dëme të tjera jomateriale tek klientët.
“Ndaj të njëjtit ka pasur raste kur i është tërhequr vërejtja, ka pasur heqje të mëditjes për shkak se është përsëritur prapë dhe ankesat kanë qenë të vazhdueshme, është marrë masë e suspendimit dhe tani e fundit është largim nga puna”, tha dëshmitarja Kryeziu.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i pandehuri Argjent Hoxha thuhet se nga muaji nëntor i vitit 2022 e deri në muajin mars të 2023-ës, në cilësinë e sportelistit në zyrën postare në regjionin e Gjakovës, ka falsifikuar nënshkrimin e klientëve, në atë mënyrë që ka nënshkruar në librin e dorëzimit të dërgesave të regjistruara të muajit shkurt dhe mars 2023 në emër të klientëve se kinse të njëjtit i kanë pranuar dërgesat postare, e që dërgesat postare të Postës së Kosovës nuk i ka shpërndarë fare në destinacionin e caktuar tek konsumatori.
Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit- përmbaruesi privat Gëzim Gjoshi, si dhe avokatët Prek Kola dhe Qaush Jakupaj, si pasojë e mospranimit të dërgesave postare janë dëmtuar në aspektin e procedurave ligjore në afat kohor, ndërsa afaristët Dukagjin Nikaj- pronar i mishtores ‘’Doni’’, Egzon Syla- pronar i ‘’Egzon Syla BI’’, janë dëmtuar në shpenzimet e procedurave përmbarimore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se dëm kanë pësuar edhe qytetarët Nafi Baraku, Lekë Baraku, Qëndrim Kovaqi, Leonita Hasi, Nehat Qava, Sofije Tafa, Astrit Hoti dhe Floreta Hadri, Smajl Cenaj, Labinot Lipoveci, Sebastian Krasniqi, të cilët nuk kanë pranuar dërgesa postare nga i pandehuri, si dhe dëm i ka shkaktuar edhe Kuvendit Komunal në Gjakovë, Gjykatës Themelore në Gjakovë, Spitalit Privat MIM në Gjakovë, Ndërmarrjes Publike Posta e Kosovës SH.A në Prishtinë.
Për çka, me këto veprime ngarkohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 427, paragrafi 1 i Kodit Penal.