Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shqiptuar dënim unik prej 25 vjetësh të akuzuarit S.O, për dhunim dhe vrasje të 11-vjeçarit, Kujtim Veselit nga Fushë Kosova.
“I akuzuari S.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjetësh për veprat penale ‘Vrasje e rëndë dhe Dhunim’, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 16.07.2019”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Kujtimi, që i përkiste komunitetit ashkali, u gjet i vdekur më 11 korrik, 2019, poshtë shkallëve të një objekti banimi në lagjen “Xhemajl Mustafa”, në Fushë Kosovë.
S.O akuzohej se e kishte dhunuar vazhdimisht Kujtimin edhe para datës 11 korrik, 2019, ditën kur u gjet i vrarë.
Sipas shkresave të rastit, S.O, akuzohej se e ka dhunuar seksualisht Kujtimin edhe më 29 janar, 2019, për çka ishte denoncuar në polici nga babai dhe nëna e viktimës.
Pavarësisht veprës së rëndë panele për të cilën dyshohej, S.O, intervistimi nga Policia e Kosovës, u krye vetëm pas 65 ditësh, më 4 prill, 2019.
Në këtë intervistë, S.O, pranoi se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën.
Por, pavarësisht kësaj, S.O, nuk ishte arrestuar dhe ndaj tij nuk ishte caktuar masa e paraburgimit.
Mbi dyshimet për neglizhim të rastit nga institucionet e drejtësisë si Policia e Kosovës dhe Prokuroria, aktivistë për të drejtat e njeriut kanë organizuar disa aksione e protesta.
Për këtë rast, në dhjetor të vitit 2019, Institucioni i Avokatit të Popullit përmes një raporti kishte gjetur një varg shkeljesh nga Policia dhe Prokuroria të cilat thuhej se kishin dështuar që ta mbronin Kujtimin.
“Organet e hetuesisë kanë dështuar të jenë efektive në arrestimin dhe në ndalimin e të dyshuarit, vlerësimin e rastit, si dhe shqiptimin e masave ligjore për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale”, thuhet më tej në raportin e Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit, kërkoi një hetim të brendshëm lidhur me dështimin e prokurorisë për përmbushjen e detyrimeve pozitive për mbrojtjen e së drejtës për jetë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës i hetoi dy prokurorë, por, i vetmi që u konstatua që kishte bërë shkelje disiplinore ishte, prokurori, Ruhan Salihu, të cilit si masë disiplinore iu shqiptua zvogëlimi i pagës prej 30 për qind për një periudhë gjashtë mujore.
Avokatja e familjes Veseli si dhe aktivistët e organizimit “Drejtësi për Kujtimin”, insistojnë në hetim penal për të gjithë zyrtarët që kanë neglizhuar rrezikun me të cilën përballej Kujtimi e që çoi në dhunim të përsëritur dhe vrasjen e tij.