Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 12,500.oo euro zyrtarin përgjegjës të KEDS-it, pasi si pasojë e mos vendosjes pajisjet për mbrojtje nga energjia elektrike ka humbur jetën një person.
Më poshtë, vendimi i plotë i gjykatës:
Prizren, 29 janar 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm (gjyqtari Fatmir Krasniqi) ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit KEDS, distrikti në Prizren – si person juridik për shkak se:
- Me datë 26 qershor 2014, duke vepruar në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara me ligj, nuk i vendos pajisjet për mbrojtje nga energjia elektrike ose nga ndonjë lloj energjie tjetër, apo nuk vepron sipas rregullave dhe rregullores teknike mbi masat mbrojtëse dhe me këtë shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, në atë mënyrë që si person juridik në kuadër të personit KEDS me seli në Prishtinë – distrikti në Prizren, nuk ka mirëmbajtur në gjendje të rregullt largëpërçuesin prej 10 KË, për furnizim me energji elektrike të trafostacionit dedikuar për pomat e ujit të fshatit, i cili kalon nëpër fushë vendi e quajtur “Arrat e gurrës”, ku si pasojë e motit të lig dy shtylla të drurit të kalbura të tensionit të lartë janë rrëzuar në një pjesë, kanë prekur shkurren (perezhin) aty afër dhe si pasojë e mosfunksionimit të releut – mbrojtësit multi funksional, jetën e humb tani i ndjeri A.M., gjithashtu si pasojë e goditjes nga energjia elektrike në arë mbeten të ngordhura edhe bagëtitë e të dëmtuarit I.M.,
- kësodore ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 par. 9 lidhur me par. 2 dhe neni 40 të KP-së.
LIROHEN NGA AKUZA - Të akuzuarit Sh.H., dhe M.M., si persona përgjegjës në kuadër të personit juridik:
-Se me datë 26 qershor 2014, duke vepruar në emër të personit juridik dhe brenda autorizimeve të tyre, në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara me ligj, nuk i vendosin pajisjet për mbrojtje nga energjia elektrike ose nga ndonjë lloj energjie tjetër apo nuk veprojnë sipas rregullave dhe rregullores teknike mbi masat mbrojtëse dhe me këtë shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, në atë mënyrë që në cilësinë e personave përgjegjës, në kuadër të personit juridik KEDS me seli në Prishtinë – distrikti në Prizren, nga pakujdesia nuk e kanë mirëmbajtur në gjendje të rregullt largë përçuesin prej 10 KË, për furnizim me energji elektrike të trafostacionit dedikuar për pomat e ujit të fshatit, i cili kalon nëpër fushë vendi e quajtur “Arrat e gurrës”, ku si pasojë e motit të lig dy shtylla të drurit të kalbura të tensionit të lartë janë rrëzuar në një pjesë, kanë prekur shkurren (perezhin) aty afër dhe si pasojë e mosfunksionimit të releut – mbrojtësit multi funksional, jetën e humb tani i ndjeri A.M., gjithashtu si pasojë e goditjes nga energjia elektrike në arë mbeten të ngordhura edhe edhe bagëtitë e të dëmtuarit I.M., - kësodore kishin për të kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 par. 9 lidhur me par.2 dhe nenit 40 të KP-së.
Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarës KEDS si person juridik i ka shqiptuar: - Dënim me GJOBË në shumën prej dymbëdhjetëmijëpesëqind (12,500.oo) euro.
- Të dëmtuarit B.M., dhe I.M., për realizimin e kërkesës pasurore – juridike janë udhëzuar në kontest të rregullt civilo – juridik.
E akuzuara KEDS – si person juridik është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 200 euro, dhe shumën prej 30 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.
Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.