Një grua e re ka porositur një “Uber” taksi në Limmatquai të Cyrihut. Në vend të saj ndalon një shtetas maqedonas me veturën e tij. Ajo hip në të, ndërsa vozitësi menjëherë fillon ngacmimin. Tashmë është konstatuar se ai nuk ka qenë aspak taksisti i porositur.
Në seancën gjyqësore, 45-vjeçari ka ardhur me sandale, i veshur me një xhaketë të shkurtër sa që tërë barku i kishte dalur jashtë dhe pa shoqërimin e ndonjë avokati. Përshëndetja e tij për të pranishmit ka qenë shumë e paturpshme.
Ai është akuzuar se natën e së shtunës më 29 prill të viti të kaluar, rreth orës 04.20 të mëngjesit, me veturën e tij në Limmatquai të Cyrihut është ndaluar dhe ka marrë një grua të panjohur e cila ka qenë duke pritur një “Uber” taksi të porositur.
Vozitësi i padurueshëm menjëherë ka filluar ta ngacmojë duke ia prekur këmbën, shkruan “Neue Zürcher Zeitung”, përcjell Albinfo.ch.
Ai gjithashtu e preku edhe në fytyrë duke i dhënë komplimente se ishte e bukur. Megjithatë, gruaja rezistoi dhe pas një kohe zbriti nga vetura dhe i regjistroi autotargat, duke ngritur kallëzim penal ndaj tij. Gjatë hetimeve janë mundur të sigurohen gjurmët e ADN-së së shtetasit maqedonas në rrobet e saj.
Prokurorja e akuzonte të pandehurin për ofendim dhe ngacmim seksual, kështu që të dy protagonistët të premten u gjendën në Gjykatë. Shtetasi maqedonas i mohoi akuzat dhe pohoi se nuk bëhet fjalë për vozitësin e pandehur, se ai nuk është ai që e ka quajtur “lavire”.
Gjithashtu, ai ka aluduar në qëllimin e gruas se ajo me qëllim e ka inskenuar ngjarjen sa për të përfituar dëmshpërblim nga Gjykata, duke i regjistruar autotargat dhe për të kërkuar dëmshpërblim prej 500 frangash.
Zvicerania e re para Gjykate ka deklaruar se qëllimi i i saj nuk kanë qenë të hollat, por se në të ardhmen të mos përsëritet ky rast.
Gjykata e shpalli të pandehurin fajtor, duke e dënuar me 20 mëditje ditore me nga 40 franga për ofendim dhe gjobë prej 500 frangash për ngacmim seksual. Nga ana tjetër, zviceranes iu refuzua dëmshpërblimi.