Departamenti i Drejtësisë ka informuar ekipin ligjor të ish-Nënpresidentit Mike Pence se nuk do të ngrejë akuza penale në lidhje me dokumentet sekrete që u gjetën në shtëpinë e tij në Indiana.
Departamenti i Drejtësisë i dërgoi një letër avokatit të zotit Pence të enjten duke e informuar ekipin e tij se, pas një hetimi lidhur me mundësinë mbi keqpërdorimin e mundshëm të dokumenteve sekrete, nuk do të kërkohet ngritja e asnjë akuze penale.
Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë e konfirmoi ekzistencën e një letre të tillë, e cila u sigurua edhe nga agjencia e lajmeve ‘Associated Press’.
Njoftimi vjen përpara se zoti Pence të nisë fushatën të mërkurën në shtetin Ajova, për të marrë emërimin e Partisë Republikane në garën për president të Shteteve të Bashkuara, një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj zotit Trump, me të cilin shërbeu në Shtëpinë e Bardhë për katër vite.
Nuk është gjendur asnjë provë që sugjeron se zoti Pence i fshehu qëllimisht dokumentet sekrete nga qeveria ose nëse e dinte që ato ndodheshin në shtëpinë e tij, kështu që nuk pritej që ai të përballej me akuza.
Vendimi i Departamentit të Drejtësisë është një lajm i mirë për ish-nënpresidentin dhe ekipin e fushatës së tij, ndërsa po përgatitet të hyjë në garën republikane për president, dhe të shfaqë dallimet e tij me zotin Trump.
Zoti Donald Trump shpalli kandidaturën për president më 15 nëntor të vitit 2022. Tre ditë më vonë, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland emëroi një prokuror të posaçëm për të mbikëqyrur hetimet e Departamentit të Drejtësisë lidhur me gjetjen e qindra dokumenteve sekrete në shtëpinë e zotit Trump.
Një prokuror special u emëruar gjithashtu për të hetuar lidhur me gjetjen e dokumenteve sekrete në shtëpinë e Presidentit Joe Biden në shtetit Dalauare dhe në një zyrë jo të sigurt në Uashington, dokumente që datojnë nga koha e tij kur shërbeu si nënpresident.
Rreth një duzinë dokumentesh me shenja sekrete u zbuluan në shtëpinë e zotit Pence në janar, pasi ai u kërkoi avokatëve të tij që të kryenin një kontroll në sendet e tij nga koha kur ishte nënpresident, si një mënyrë kujdesi pas zbulimit të dokumenteve sekrete të zotit Biden.
Dokumentet ishin paketuar padashje në kohën kur ai la detyrën dhe ishin dërguar në shtëpinë e zotit Pence, shkruante në një letër drejtuar Arkivit Kombëtar avokati i zotit Pence.
Një muaj më pas FBI-ja gjeti një dokument sekret në shtëpinë e zotit Pence në Indiana gjatë kontrollit. Zoti Pence ka përsëritur vazhdimisht se ai nuk ishte në dijeni të ekzistencës së dokumenteve, por se “u bënë gabime” në trajtimin e materialeve sekrete. Dy prokurorë të posaçëm të Departamentit të Drejtësisë po kryejnë hetime lidhur me trajtimin e dokumenteve sekrete nga zoti Trump dhe zoti Biden.