Departamenti i Drejtësisë paditi sot Teksasin për një ligj të ri që do të lejojë policinë shtetërore të arrestonte emigrantët që hyjnë ilegalisht në SHBA.
Përpjekjet e Guvernatorit republikan të Teksasit, Greg Abott e kanë vënë në sprovë autoritetin e qeverisë federale mbi imigracionin dhe kanë forcuar luftën politike për këtë çështje. Në përpjekje për të nxitur politika më të ashpra kundër migracionit, të mërkurën, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnon udhëhoqi rreth 60 republikanë të Kongresit në një vizitë në kufirin SHBA- Meksikë.
Vizita e ligjvënësve republikanë në qytetin Eagle Pass të Teksasit u bë për të kërkuar politika më të ashpra kundër migracionit të paligjshëm. Konservatorët e kanë kushtëzuar mbështetjen e kërkesës të Presidentit Joe Biden për miratimin e ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin me ashpërsimin e politikave kundër migracionit në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.