Policia e Kosovës, më saktësisht Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, në orët e hershme të mëngjesit, në qytetin e Ferizajt ka ndaluar 69 shtetas nga Shqipëria që po qëndronin ilegalisht në Kosovë.
Nga 69 personat e ndaluar, 55 prej tyre janë të moshës së rritur dhe 14 fëmijë, të shoqëruar nga familjarë të tyre, njofton Klan Kosova.
Të gjithë të identifikuarit dhe të ndaluarit kishin hyrë legalisht në Kosovë si turistë dhe gjatë qëndrimit këtu kanë kryer aktivitete të kërkim-lëmoshës në qytetin e Ferizajt.
Po ashtu edhe ndaj shtetasve kosovarë të identifikuar si strehues (akomodues) të tyre, u janë iniciuar procedurat ligjore, shqiptimi i gjobave sipas Ligjit për të huaj.
Pas kompletimit të rasteve duke u bazuar në Ligjin për të huaj, të gjithë emigrantët në mënyrë të organizuar janë deportuar për në shtetin e origjinës përmes Pikës së Kalimit Kufitar-Vërmicë.
Gjatë trajtimit të tyre, kanë marrë pjesë edhe zyrtarët policorë-hetuesit e Njësisë Rajonale kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore të Ferizajt si dhe është njoftuar Qendra për Punë Sociale-Ferizaj të cilët i kanë trajtuar të gjithë emigrantët nga fushëveprimtaria e tyre, mirëpo nuk kanë gjetur elemente të trafikimit me qenie njerëzore.