Në Kuvendin e Kosovës, të premten është mbajtur punëtoria “Gratë udhëheqin agjendën legjislative për barazi gjinore: Fuqizim ekonomik të grave në nivelin qendror dhe lokal”, raporton Ekonomia Online.
Të pranishëm, ishin gratë asambliste të kuvendeve komunale, me ç’rast u kërkua më shumë hapësirë për tregu e punës.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se Parlamenti është shumë i rëndësishëm për shoqërinë e një shteti. Pa këtë institucion, Hoxhaj tha se shteti s’ka vlerë.
“Ne përafërsisht e kemi rolin e njëjtë por edhe mund të dallojmë për shkak se jeni më afër qytetarëve sesa ne. Ju keni ardhë në Kuvend dhe kjo është ndërtesa më me peshë për një vend demokratik. Aty ku ka Parlament, aty ka demokraci dhe natyrisht që është e rëndësishme për ne si shoqëri dhe për ne si shtet. Ku ka barazi, ka edhe demokraci”.
“Në këto 15 vite të pavarësisë është bërë shumë për barazi gjinore por edhe për të qenë politikë e lehtë në praktikë. Mbi të gjitha dua t’u them dhe e di që nuk e keni lehtë betejat që shërbeni në asambletë komunale, dhe shpesh herë burrat shtyhen në servilizëm dhe grave shumë pak u bie mundësia për të kontribuar”, tha Hoxhaj.
Anëtarja e Bordit të Grupit të Grave Deputete, Eliza Hoxha, tha se një nga defektet e shoqërisë kosovare, është hapësira e gjetjes së tregut të punës.
Ajo tha se edukimi i grave dhe vajzave ka bërë që ato të rizgjohen dhe ta kuptojnë të vërtetën, peshën, rolin dhe zërin e tyre që e përdorin për të mirën e tyre dhe për të mirën publike,
“Nëse flasim për fuqizimin ekonomik, është e kotë të flasim se si mund të bëhet pa pasur një bazament i cili është thelbësor e që lidhet me edukimin jo vetëm formal por edhe joformal, që sot më shumë merr kuptim e sidomos nëse flasim për shkollat profesionale sepse sot profesionet ndryshojnë jo vetëm në raport me gruan por në raport me gjithë njerëzit”.
“Sot mund të shkolloheni për çështje të caktuar, nesër mund të mos gjejnë treg të punës hapësirë për t’u punësuar. Dhe kjo është një nga defektet që shoqëria kosovare që i ka dhe se më shumë i prek gratë si gjini më e ndjeshme në këtë drejtim. Por një gjë që ka ndodh sa i përket edukimit e insistimit të kësaj shoqërie që gratë dhe vajzat të edukohen, në fakt edukimi ka bërë që ato të rizgjohen, ta kuptojnë të vërtetën, peshën, rolin dhe zërin e tyre që e përdorin për të mirën e tyre dhe për të mirën publike, ta bëjnë realitet”, tha ajo.
Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci, tha se rrugëtimi i grave të Kosovës këto 20 vite nuk ka qenë i lehtë.
Ajo tha se gratë janë përballur me tranzicionin e shoqërisë sonë, raporton EO.
“Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe social i një vendi dhe forcimi i kohezionit social rreth vlerave që identifikojnë një shoqëri demokratike nuk mund të mendohet pa pjesëmarrjen dhe aktivizimin e plotë të potencialit të gruas në jetën sociale, politike dhe ekonomike. Rrugëtimi i grave të Kosovës këto 20 vite nuk ka qenë i lehtë, ato janë përballur me tranzicionin e shoqërisë tonë, me shtypjen e mendësisë patriarkale, një pjesë e tyre edhe paragjykime dhe steriotipe”.
“Për këto njëzet vjet, shoqëria e Kosovës me ndihmën e madhe nga shoqëritë demokratike evropiane dhe ShBA-të, ka arritur të tejkaloj shumë nivele të shtypjes, pengimit, pabarazisë e diskriminimit për gratë, sot kemi Presidente grua, kabinet të Qeverisë me shumë gra profesioniste e të përkushtuara, Parlament po ashtu me shumë gra që po japin kontribut në shoqërinë e demokratizimin e vendit. Na mbetet sfidë që të mposhtin çdo mendësi që niset nga ide të mbrapshta që proklamojnë ‘jam grua s’jam për politikë, jam grua nuk jam për biznes’, na duhen gra që kanë çdo terren të arritjes së suksesit të barabartë me burrat”, tha ajo.
E anëtarja e Bordit të Grupit të Grave Deputete, Valentina Bunjaku, tha se mosndarja e trashëgimisë në mënyrë të barabartë, i penalizon gratë në karrierë dhe në jetën profesionale.
“Sa i përket fuqizimit të gruas në Kuvendin e Kosovës kemi jashtëzakonisht ligje të mira mirëpo ato ligje duhet të zbatohen dhe duhet të monitorohen se si po zbatohen në praktikë. Sa i përket ligjeve, kemi shumë mangësi mundemi shumë më shumë, sepse absolutisht në vendet patriarkale nuk mendohet që grave t’u lihet trashëgimia dhe mungesa e trashëgimisë, e penalizon gjatë ecjes së saj në karrierë por edhe në jetën profesionale. Shumë shpejtë do të votohet Kodi Civil dhe aty do të jetë një amendament që pasuria ndërmjet burrit dhe gruas do të ndahet barabartë”, tha Bunjaku.