Organizatat e shoqërisë civile kanë zhvilluar sot një performancë simbolike përpara hyrjes së Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste ndaj bllokimit të vazhdueshëm të konstituimit të legjislaturës së re, raporton Ekonomia Online.
Të pajisur me pankarta me mesazhe të drejtpërdrejta si “Kur t’ju bëhet boll, kallxoni”, “Deputetë, emri juaj është bllokadë” dhe “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan t’i japin fund krizës institucionale dhe theksuan përgjegjësinë e deputetëve për të përmbushur mandatin e tyre.
Protesta u zhvillua në prag të vazhdimit të seancës së 37-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL deklaroi se ky është vetëm fillimi i një serie protestash të vazhdueshme, të cilat do të mbahen çdo të dytën ditë, në përputhje me seancat e Kuvendit, për të ushtruar presion ndaj deputetëve.
“Përmes këtij aksioni protestues, po shprehim pakënaqësitë tona lidhur me moskonstituimin e Kuvendit. Vazhdojmë të përballemi me një bllokadë nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ky do të jetë një aksion i vazhdueshëm, nga sot e tutje – çdo të dytën ditë, ashtu siç do të mblidhen deputetët në Kuvend, edhe ne do të jemi aty për të kundërshtuar bllokadën e krijuar nga partitë politike,” tha Demolli.
Kritika ndaj situatës aktuale pati edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili theksoi se bllokada po e kthen Kuvendin në një teatër të dëmshëm për demokracinë.
“Ajo që po shohim, ndonëse për publikun kjo situatë ka kaluar çdo kufi të normales dhe është bërë e papranueshme, duket se të vetmit që nuk shqetësohen janë deputetët e Kuvendit. Ata, me një papërgjegjësi të plotë, po e trajtojnë situatën aktuale si diçka të zakonshme, ndonëse nuk është aspak e tillë. Kuvendi është shndërruar në një cirk të demokracisë, që po vazhdon me një shfaqje tragjiko-komike,” u shpreh ai.

