Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga deputetët Doruntinë Maloku dhe Elmi Reçica, po merr pjesë në takimet e Rrjetit Global Parlamentar të OECD-së dhe deputetëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Paris.
Ata kanë ndjekur diskutimet në disa sesione që trajtonin temat e energjisë globale, inovacionet në transport, pastaj, në sesionet për inteligjencën artificiale, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe rolin e edukimit në zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë për performansën në testin PISA.
Deputetja Doruntinë Maloku, në një pjesë të diskutimit të saj, ka shfaqur shqetësimin në lidhje me rezultatin e nxënësve kosovarë në testin PISA, të cilët radhiten ndër të fundit në rang botëror. Bashkë me dhjetëra përfaqësues të shteteve të ndryshme nga Evropa, Azia e Amerika Latine, janë ndarë përvojat e shteteve të tyre, në mënyrë që të merren në konsideratë veprimet për ta përmirësuar rezultatin e nxënësve kosovarë.
Gjatë ditës së sotme, deputetët kosovarë morën pjesë edhe në një diskutim me sekretarin e përgjithshëm të OECD-së, z. Angel Gurría.
Deputetët kosovarë janë ftuar në cilësinë e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.