Deputetët e Kuvendit kanë akuzuar presidentin Hashim Thaçi për skandalin me arrestimin dhe deportimin e gjashtë gylenistëve.
Ata kanë kritikuar edhe hallkat e pushtetit për mungesën e koordinimit institucional, si dhe mosrespektim të ligjit dhe procedurave, shkruan Koha Ditore.
Në fund të seancës së jashtëzakonshme deputetët kanë miratuar katër rekomandime. Ata janë pajtuar që: “1. Të formohet komisioni hetimor parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018; 2. Kërkohet nga grupet parlamentare që brenda tri ditësh të dërgojnë në Kryesinë e Kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë komision, në përputhje me Ligjin për hetime parlamentare; 3. Në funksion të ndriçimit të plotë të kësaj çështjeje Kuvendi obligon të gjitha institucionet relevante që lidhen me çështjen në fjalë t’u përgjigjen kërkesave të komisionit hetimor; 4. Kuvendi mandaton komisionin hetimor të shqyrtojë përputhshmërinë e procedurave të ndjekura lidhur me këtë rast me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”.
Votimit të rekomandimeve i parapriu një debat i gjatë, i cili rrëshqiti edhe përplasje mes deputetëve.
LDK dhe VV kanë akuzuar presidentin Hashim Thaçi si urdhërdhënës të aksionit. Ndërkaq shefat e grupeve parlamentare të partive në pushtet, PDK-së, AAK-së dhe Nismës, kanë kërkuar përgjegjësi dhe informata shtesë për rastin. Deputetët turq, si dhe ministri i vetëm nga ky komunitet kanë mbështetur aksionin e AKI-së për dëbimin e, siç i kanë quajtur ata, “terroristëve të Gylenit”. Sipas tyre, organizata “Feto” përbën element kërcënues edhe për sigurinë e Kosovës. Seancën për “gylenistët” nuk e ka udhëhequr kryetari Kadri Veseli, derisa mungoi edhe kryeministri Ramush Haradinaj.