Delegacioni nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga nënkryetari i Kuvendit, njëherësh udhëheqës i Delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Xhavit Haliti, po merr pjesë në Konferencën e përbashkët të Grupit Special të Mesdheut dhe Lindjes së Mesme të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Parlamentin italian në Romë.
Në këtë konferencë, e cila do të zgjasë deri më 29 tetor 2016, do të adresohen zyrtarë të lartë shtetërorë, si: Laura Boldrini – kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, Andrea Manciulli – kryetar i Delegacionit italian në AP të NATO-s, Paolo Gentiloni, ministër i Punëve të Jashtme, Abdul Raouf Ibrahimi, kryetar i Dhomës së Popullit të Afganistanit, gjeneralmajor Guglielmo Miglietta – ish-komandant i KFOR-it, gjeneral Claudio Graziano, shef i Shtabit të Forcave Ushtarake Italiane, ambasadori Brett Mcgurk, i dërguar special nga Departamenti Amerikan i Shtetit për luftën kundër ISIS-i, si dhe Roberta Pinotti, ministre e Mbrojtjes.
Në këtë konferencë do të trajtohen temat lidhur me situatën e sigurisë në Libi dhe Afrikën e Veriut, menaxhimin e flukseve të emigrantëve dhe kontrollin e kufijve në Evropë, Ballkani Perëndimor – lidhja strategjike në mes të rajonit Mena dhe Evropës, situata e sigurisë në Siri dhe Irak, radikalizmi dhe terrorizmi në Evropë dhe Ballkan.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës po zhvillon takime bilaterale me përfaqësues në AP të NATO-s, ku po diskuton tema të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit të Kosovës në AP të NATO-s dhe NATO-n.