Ndërmarrja publike “Trepça”, është zhytur në borxhe ndaj operatorëve privat, por edhe institucioneve si Trusti dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Deputetët e opozitës i thanë Ekonomia Online se tash e tri vjet punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë punuar pa kursime pensionale, kjo pasi punëtorëve nuk u kanë paguar Trustin.
Madje sipas tyre, borxhi total që ka kjo ndërmarrje ndaj punëtorëve për pagesat e Trustit, kap vlerën e dhjetëra milionë eurove.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se situata është jashtëzakonisht shqetësuese.
Sipas kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, në këtë periudhë ka neglizhencë totale të Qeverisë në raport me Trepçën sa i përket projekteve zhvillimore.
“Situata është jashtëzakonisht shqetësuese. Janë dhjetëra miliona euro që Trepça ka borxhe operatorëve privat dhe institucional. Ka dhjetëra miliona euro që ka obligime ndaj KPMM-së dhe Trustit. Përkundër rritjes së çmimeve në berz ndërkombëtar do të duhej të ishte do të duhej të ishte favorizuese për ndërmarrjen Trepça dhe institucionet e shtetit”.
“Kemi një neglizhencë totale të Qeverisë në raport me Trepçën dhe nuk kemi asnjë veprim konkret sa i përket projekteve zhvillimore dhe stabilitetit afat gjatë të Trepçës. Është mbijetesë ekonomike dhe nuk kemi asnjë projekt afatgjatë. Definitivisht në këto rrethana të qeverisjes çfarë është unë jam shumë pesimist, por fati është që resurset ekzistojnë dhe presim një ditë më të mirë”, tha Shala.
Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj tha se gjendja buxhetor në Trepçë është mjaft e rëndë sepse Trusti nuk u është paguar punëtorëve.
Sipas tij, Qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe t’i qaset zhvillimit të kësaj ndërmarrje, raporton EO.
“Gjendja buxhetore në Trepçë është mjaft e rëndë dhe edhe pse ka pasur informacione nga Qeveria që ka trende pozitive mendoj që Trepça nuk numëron ditë të e mira të zhvillimit dhe në mungesë të buxhetit të vazhdueshëm dhe mos shlyerjes së borxheve, Trusti nuk është paguar edhe punëtorëve që duhet me qenë prioritet i ndërmarrjes Trepça”.
“Aksionar i Trepçës është Qeveria dhe mendoj që duhet të zhvillohet dhe të trajtohet më ndryshe e sidomos kjo Qeveri që ka ardhur me premtime që do të bëjë zhvillimin e Trepçës. Duhet të ndryshohet gjendja dhe Qeveria të marrë përgjegjësi si t’i qaset zhvillimit të Trepçës”, tha Lekaj.