Deputetët e Vetëvendosjes dënohen me 5 vjet e gjysmë burgim

Prishtinë | 03 Jan 2018 | 13:20 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu janë shpallur fajtorë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Gjykatësi Beqir Kalludra shpalli aktgjykimin, duke ua shqiptuar 5 vjet e pesë muaj burgim me kusht, katër deputetëve. Të akuzuarit mungonin në seancë.

Albin Kurti u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim; kaq u dënua dhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi; Albulena Haxhiu u dënua me 1 vit e 3 muaj dhe Faton Topalli me 1 vit e 2 muaj.

Por, dënimet nuk do të ekzekutohen nëse ata nuk kryejnë ndonjë vepër penale në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Për përdorim të armës, deputeti Albin Kurti është dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burg. Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burg.

Deputetja Albulena Haxhiu për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim. Për pengim të personit zyrtar me 4 muaj. Dënimi unik: 1 vit e 3 muaj.

Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 3 muaj, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burgim. Dënim unik: 1 vit e 6 muaj.

Ndërsa, deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi unik: 1 vit e dy muaj.

Të gjitha këto dënime janë me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.

Të katër deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Pas shumë seancave gjyqësore, ku u panë përballje të ashpra verbale e nganjëherë edhe ofendime, trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës do të vendosë për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve.

Gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se veprimet e tyre ishin vetëm në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke parandaluar kështu një të keqe të madhe që po i kanosej Kosovës, apo siç e quajtën ata “faljen e mijëra hektarëve tokë dhe bosnjëzimin e Kosovës”.

Madje, prej disa prej të akuzuarve u tha se ndihen krenarë për veprimet që i ndërmorën ndërsa se veprimet e tyre ishin të drejta, të gjithë deputetët e akuzuar të këtij rasti përmenden vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që gjeti se disa prej pikave të Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, nuk ishin në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Krejt këto argumente nuk e bindën prokurorin e rastit, Valdet Gashi, i cili kërkoi nga Gjykata që t’i shpallë fajtorë të akuzuarit sepse sipas tij është provuar se ata e kanë kryer veprën penale, raporton Kallxo.com.

Pjesë e këtij gjykimi në cilësinë e dëshmitarëve ishin edhe disa deputetë dhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, si Flora Brovina, Blerta Deliu-Kodra, Nuredin Ibishi, Xhavit Haliti, Bekim Haxhiu dhe Armend Zemaj.

Millaku: Nuk janë me rëndësi vitet, por fajësia

Avokati i deputetit Faton Topallit, Haxhi Millaku, pas shpalljes së vendimit të trupit gjykues për dënimin e katër deputeteve të Vetëvendosjes tha se nuk janë me rëndësi vitet me të cilat janë dënuar deputetët.

“Nuk janë me rendësi vitet, me rendësi është që këta janë shpallur fajtorë”, tha ai.

Sipas tij, y ka qenë  qëllimi që nga fillimi i procesit gjyqësor.

Millaku paralajmëroi se do të bëhet ankesë lidhur me vendimin.

Të ngjashme