Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, Gramos Agusholli, Nijazi Isaku dhe Visar Korenica, kanë qëndruar sot për një vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe janë takuar me kreun e këtij institucioni, Naim Tërnavën.
Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë BIK-u, përmes një komunikate për media.
“Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava priti sot në takim një grup deputetësh të Parlamentit të Kosovës i përbërë nga Eman Rrahmani, Gramos Agusholli, Nijazi Isaku dhe Visar Korenica.
Myftiu Tërnava iu dëshiroi mirëseardhje deputetëve dhe i njohu ata me punën, angazhimin dhe funksionimin e institucionit të BIK-ut dhe jetës fetare në përgjithësi.
Edhe deputetët falënderuan Myftiun Tërnava për pritjen dhe njëherësh shprehën mirënjohjen për kontributin e Myftiut Tërnava dhe të BIK-ut që Kosova është shtet ku respektohet liria, harmonia e toleranca fetare dhe që komunitetet fetare jetojnë në paqe dhe siguri të plotë, si dhe Kosova është shembull për harmoni e tolerancë fetare.
Në këtë takim po ashtu u theksua edhe mundësia e bashkëpunimit të përgjithshëm për të mirën e qytetarëve në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.
Deputeti Gramos Agusholli në disa shkrime të më hershme në profilin e tij në ‘facebook’ kishte ofenduar heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, duke pretenduar se i njejti ka lidhje serbe.