Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka diskutuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, për institucionet që janë në fushëveprim të Komisionit, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, duke prezantuar ndarjet buxhetore tha se për herë të parë po financohen projekte për ujëra të zeza në tri qytete të Kosovës prej 22 milionë eurosh.
“Për herë të parë janë tri projekte të reja që kanë të bëjnë me ujërat e zeza në Prishtinë, Gjilan dhe Mitrovicë e cila së bashku janë në vlerë prej 22 milionë eurosh. Sa i përket departamenti të teknologjisë dhe komunikimit i kemi disa projekte të reja, këtu janë krijimi për infrastrukturën fizike të komunikimeve që është projekt kyç për zbatimin e ligjit për uljen e kostos së ofrimit të internetit”.
“Të tjerat janë investime të vjetra të cilat vazhdohen. Arsyeja është se një pjesë do të financohet nga BE-ja jemi duke i diskutuar detajet, pjesa tjetër do të bëhet nga pakoja e rimëkëmbjes”, tha ajo.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj pyeti se me këtë shumë që kanë ndarë për tri impiantet për ujëra të zeza që a mjafton buxheti.
Ministrja tha se këto janë projekte të reja dhe se shuma e ndarë për to është e mjaftueshme. Lekaj tha se kjo është planifikim jo i mirë i buxhetit dhe sipas tij, ky është një projekt i dështuar.
Kryesuesi i këtij Komisioni Ferat Shala pyeti ministren se pse në disa institucione është ulur buxheti krahasuar me vitin e kaluar dhe në disa është buxheti i njëjtë.
Ministrja duke u përgjigjur tha se në disa departamente që është ulur buxheti nuk e dëmton punën e tyre.
“Sa i përket këtyre departamenteve nuk është shkurtuar buxheti as për staf, puna nuk do të dëmtohet. Sa i përket Trepçës në buxhet te subvencionet është e vërtet se buxheti është si vitin e kaluar, por kemi paraparë që të japim huadhënie”.
“Për efiçencë të energjisë planifikohet të ketë financim shtesë planifikojmë që t’i kemi 30 milionë euro shtesë. Sa i përket inspektoratit jemi duke punuar në rregulloren e re ku do të rrisim numrin e inspektorëve. Do ta rrisim numrin e inspektorëve”, tha ajo.
Shala pyeti përsëri për Trepçën: “…është krijuar mundësia që të merret kredi. Për të marr kredi a e keni paraparë që Trepça i plotëson kushtet për të marr kredi nga shteti”.
Ministrja tha se Trepça është në rrugë të mirë dhe se e ka përkrahjen e Qeverisë.
“Një vlerësim i tillë nuk është bërë, gjendja në Trepçë është duke u përmirësuar dukshëm, sfidë mbetët çmimi i lartë i furnizimit me energji elektrike, për këtë arsye edhe kemi ndarë mjete shtesë për Trepçën 5.2 milionë euro para një jave, për herë të parë në Trepça punëtoreve po i’u paguhet me rregull Trusti Pensional. Trepça është në rrugë të mirë dhe do ta ketë përkrahjen e Qeverisë”, tha ajo.
Kryesuesi Shala kërkoi që të rritet buxheti për Trepçën, raporton EO. Ai kërkoi nga ministrja që të rishikohen ligjet për Trepçën.
“Nëse nuk merr kredi shkalla e amortizimit është shumë e lartë, teknologjia shumë e vjetër. Lidhet me situatën e energjisë, plantacionet janë pajisje të vjetra që kanë konsum shumë të lartë të energjisë do të ishte e mirë që Qeveria edhe në të ndanim mjete buxhetore për blerje të plantacioneve të reja”, tha ai.