Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka propozuar që më 3 prill 2019, të ftohen në ballafaqim në komisionin për arsim përfaqësues të MAShT-it, SBAShK-ut dhe Këshilli i prindërve.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shprehur shqetësimin për ngërçin në arsim, i cili ka ardhur si pasojë e grevës dhe mosrespektimit të vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi, për kompensimin e orëve të humbura, raporton Ekonomia Online.
Driton Çaushi nga radhët e Partisë Socialdemokrate, tha se tema e kompensimit të orëve nuk ka qenë adresë e duhur për tu shtruar në Kuvendin e Kosovës.
“Duhet ta bisedojmë edhe një temë si ai i kompensimi i orëve dhe besoj që bisedimi i kësaj çështje nuk ka qenë adresa e duhur Kuvendi i Kosovës pasi edhe pas atij diskutimi kemi një papërgjegjësi të madhe si e institucioneve por edhe udhëheqësve të SBAShK-ut pasi ata nuk përfaqësojnë mendimet e mësimdhënësve”, u shpreh ai.
Sipas Çaushit, Kosova po përballet me një sistem arsimor të dëmtuar dhe me një cilësi të ulët të sistemit arsimor.
“Është shumë keq që ne si shoqëri përballemi me një sistem arsimor të dëmtuar dhe cilësi të ulët, por a duhet të dorëzohemi para këtij fakti dhe çka do që ndodh ta injorojmë. Është absurde kur SBAShK-u e njeh obligimin moral dhe nevojën për kompensim të orëve dhe të njëjtën kohë nuk pranon çfarëdo forme të kompensimit por është shqetësuese që nuk ka asnjë zë nga komiteti i prindërve e mësimdhënësve për ta kundërshtuar një fakt të tillë. Nëse pajtohemi që ky është dëm i madh duhet mos të ndalemi dhe të kërkojmë përgjegjësi për këtë punë”, shtoi Çaushi.
Deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se ajo ka marrë informata që gjatë këtij gjysmëvjetori, nxënësit kanë mbetur me nota të papërfunduara.
“Sindikata ka ndryshuar këtë kohë që ndoshta më nuk e kam besuar që ata kanë me blloku sistemin arsimor. Kam marrë informata që në gjysëmvjetorin e parë nxënësit nuk i kanë notat e përfunduara. Përpjekjet tona nuk duhet me i ndalë, Ministri e Kryeministri nuk duhet me u thirr në diçka që mund ti bëhet dëm nxënësve e aq më tepër SBAShK-u”, tha Haxhiu.
Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, shtoi se mos kompensimi i orëve është gabim dhe dëmton nxënësit.
“Ne kemi thënë qartë që komisioni për arsim është për kompensimin e orëve. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar ne mendojmë që është gabim të mos kompensohen orët edhe me këtë po dëmtohen nxënësit dhe ne nuk duhet të heshtim por të veprojmë”, tha Kurteshi.
Ligjvënësit diskutuan edhe për mundësinë e vizitave në sektorin e arsimit ku propozimi i deputetëve ishte që këtë javë komisioni të bëjë një vizitë në MAShT, pastaj në drejtoritë e arsimit në komuna si dhe në shkolla.
“Sot është mirë që ne të merremi vesh se kur do fillojë më punën pasi jemi në muajin e 4 dhe deri në fund të këtij sesioni janë 3 muaj efektiv dhe sot nga që të bëjmë një plan të mirë të punës ujë nga koordinatorët do kërkojë me ditë sa po realizohet ajo për çka jemi marrë vesh”, propozoi Kurteshi.
Luljeta Veselaj – Gutaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha se këto vizita duhet të realizohen pasi duhet të dihet me çka po përballet arsimi parauniversitar.
“Mund ta zhvillojmë këtë javë vizitën në MAShT dhe të vizitojmë brenda muajit drejtoritë e arsimit që të marrim të dhënat se me çfarë probleme po ballafaqohet arsimi parauniversitar”, tha Veselaj-Gutaj.
Deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, rekomandoi që të prioritet të i jepet vizitave në shkollat të cilat nuk janë në gjendje të mirë.
“Jo vetëm duhet me vizituar institucionin në inspektorat por duhet të vizitojmë edhe disa shkolla të cilat nuk janë në gjendje të mirë por për këtë duhet të presim edhe rekomandime prej komunave. Është më mirë që vizitat tona në shkolla të i bëjnë në të gjitha regjionet”, tha ajo.
E kryesuesi i komisionit Ismail Kurteshi kërkoi që më kuadër të vizitave të bëhet edhe një vizitë në Luginën e Preshevës që të dëgjojnë problemet dhe hallet e shqiptarëve atje.
“Dua ta shtroj çështje siç është vizita në Luginë e Preshevës që kemi marrë përsipër si komision dhe e kemi marrë përgjigjen pozitive për të shkuar atje. Mendoj që janë 3 çështje që blen me shku në Luginë të Preshevës pasi që ata kanë nevojë edhe për përkrahjen morale edhe kryetari i Bujanovcit na ka lutë me shkuar”, tha ai.