Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, ditë më parë vendosi që ta anulojë konkursin për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Me katër vota kundër dhe dy pro, raporti rekomandues i cili u shqyrtua sot nga komisioni, do t’i dorëzohet negativ Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, EkonomiaOnline.
E ky Komision ka shqyrtuar sot propozimin për rishpalljen e konkursit për komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Deputetët kërkuan që kadetët e policisë që kanë kryer akademinë në Turqi të punësohen në ndonjërin prej institucioneve të sigurisë.
Rexhep Selimi tha se njerëzit që kanë aplikuar në Inspektoratin e Policisë së Kosovës nuk dihet pse nuk janë pranuar.
“Ne po i kuptojmë ligjet ama vështirë është me ju thënë njerëzve konkurroni, kanë konkurrua këta njerëz, kanë konkurrua në Inspektoratin e Policisë së Kosovës dhe nuk e di kush nuk i ka përzgjedhë këta, cilin standard nuk e kanë kaluar këta, njerëz që e kanë kaluar akademinë e nuk e kanë kaluar. Nëse ne jemi indiferent atëherë konkurroni, iu themi se keni kaluar keni pasur kaq pikë dhe kanë shkuar por po harrojmë që shteti respektivisht Qeveria ka një obligim ndaj tyre sepse shteti i ka dërguar atje”, tha ai..
Deputetja Aida Dërguti, tha se personat që konkurruan në këtë konkurs nuk plotësuan kushtet e kërkuara.
“Nëse ata kanë kaluar për arsye të tjera që e kanë vlerësuar si kandidatë të duhur për konkursin nuk mundem me ndërhy. Një problem që e kanë këta njerëz pa kalua në trajnime këtu është mosnjohja e ligjeve të Kosovës këtu që nuk e di këtë pjesë të përgatitjes sepse Policia e Kosovës gjithçka është në përputhje me ligjet që ndërlidhen me punën e tyre.
Rexhep Selimi ka bërë thirrje Ministrisë se Punëve të Brendshme që të përmirësojë gabimin dhe të ketë parasysh zyrtarët që kanë qenë për trajnime jashtë vendit dhe që janë dukshëm të përgatitur.
“Ne i sugjerojmë ta përmirësojnë gabimin e vet sepse gabimi i ministrisë nuk ka peshuar mbi ministrinë ka peshuar mbi këta është edhe njerëzore që ne me u kujdes për fatin e këtyre njerëzve që përveç qe kanë kryer 5 vite trajnim këta 5 vite të trajnimit i kanë kaluar jashtë vendit.
Ismet Beqiri ka thënë se duhet të dilet me temë konkrete pasi kjo që po bisedohet sipas tij është vetëm një shqetësim i ngritur.
“Kjo këtu që po e bisedojmë është vetëm sa për të ngritur një shqetësim”.
Xhelal Sfeqla ka thënë se ata që kthehen nga trajnimet nuk është e udhës të kthehen si rreshterë, por të kalojnë në grada, dhe kërkoi që të ketë ndryshime ligjore në këtë pjesë.
“U fol për çështjen e gradimit nëse ka shembuj ne FSK por edhe vendet e tjera që shteti e dërgon dikë brenda sistemit me krye akademi, kur të kthehet ai normal që nuk është e udhës me u kthye si rreshter por të kthehen si zv, toger, nëntoger, atëherë është mirë që kjo me ndodhë ndryshimet ligjore që e ndryshojnë edhe këtë pjesë”.
Në fund u morë vendimi që deputetët të flasin me dy zyrat ligjore dhe pastaj të vendoset për kadetët që kanë kryer akademinë policore në Turqi.
Në këtë mbledhje të komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikqyrjen e FSK-së po ashtu u vendos që të rishpallet konkursi për komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi me përbërje të panelit të njëjtë.