Në mungesë kuorumi Projektligji për Pastërtinë e Figurës së Zyrtarëve të Lartë në Institucionet Publike dhe të të Zgjedhurve, nuk është votuar, raporton Ekonomia Online.
Pavarësisht mungesës së deputetëve në seancë, ky projektligj është diskutuar.
Deputeti i Nisma Socialdemokrate, Zafir Berisha, tha se ky projektligj parasheh sanksionin e personave që i kanë shërbyer regjimit komunist.
“Grupi i deputetëve të këtij projektligji ka paraqit kohën e fillimit dhe përfundimit ku do sanksionohen personat që i kanë shërbyer regjimit komunist. Projektligji I pastrimit të figurave…ka implikime financiare që është normale dhe duke pasë parasysh që ligji prek një afat të caktum, ligji do të jetë I aplikueshëm deri në 2037 dhe komisioni që parashihet me ligj do të veproj në përputhje me atë se si veprojnë komisionet tjera që I japin llogari Kuvendit”, tha Berisha.
Armend Zemaj, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se është e drejtë e shqiptarëve që të kërkojnë definimin e të kaluarës dhe pastrimin e figurave publike.
Sipas tij, duhet një trajtim i saktë i ligjit, sepse ka të bëhet me trajtim komunist.
“Si shqiptarë të Kosovës kemi të drejtë të kërkojmë që definimi I të kaluarës dhe pastrimi i figurave publike të bëhet në mënyrë të saktë pa pretendime që e dëmtojnë shoqërinë kosovare, që ata që kanë qenë pjesë e krimeve makabre të komunizmit, të mos jenë në pozita sot. Duhet të kemi trajtim të saktë sepse kemi të bëjmë me një sistem komunist afatgjatë ku shqiptarët e Kosovës nuk janë trajtuar drejtë dhe kemi në zotërim si institucione dosje. Kjo mund të jetë një arsye në atë që po kërkojmë në pjesën e dialogimin me Serbinë që të kërkojmë në arkiva. Pastërtia publike do jetë e lehtë të definohet me arsyeshmërinë e grupit të deputetëve në përputhshmëri me nenet e caktuara”, tha Zemaj.
Ndërsa, Sami Kurteshi, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, tha se janë disa çështje që duhet të rregullohen në këtë projektligj.
“Nga njërën anë mendohet që komisioni të miratohet nga Kuvendi por ai financohet nga qeveria. Çështje tjetër problematike është verifikimi i dosjeve që duhet të jetë në përputhje me legjislacionin. Çështja tjetër është se ky verifikim nuk e ka të qartë periudhën për të cilën flitet 1944-1999. Në gjykata, trupi gjykues që merret me cështje të tilla dhe trajton procesin e verifikimit të një personi, trupi gjykues duhet të jenë të verifikuar. Kjo ka me qenë një nga çështjet që duhet të jetë me rëndësi”, u shpreh Kurteshi.
Shkumbin Demalijaj në emër të grupit parlamentar të AAK-së, është shprehur skeptik në mbarëvajtje të këtij projektligji, pasi sipas tij ka ende persona që përkrahin Millosheviqin dhe krimet e bëra gjatë luftës.
Ai pati ankesë edhe për deputetët serb brenda Kuvendit.
“Nuk po flasim vetëm për regjimin komunist por edhe për kohë e Millosheviqit. Kur flas për kompaktësinë a jeni të sigurt dhe të gatshëm në këtë çështje. ne ende sot në Kuvend kemi njerëz që e kanë përkrahë Millosheviqin dhe krimet dhe edhe sot thonë Kosovë dhe Metohia. Kërkoj nga grupi parlamentar që të ulen me partitë sepse jam shumë skeptik që të gjithë ata që trumbetojnë dështojnë në përfundimin e saj”, tha Demalijaj.