Deputetët nuk interesohen për punën e KPMM-së

Prishtinë | 07 Shk 2018 | 15:35 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ishte planifikuar që sot ta vizitonte Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, i cili e mbikëqyrë punën e tij.

Mirëpo, në kohën e caktuar, e cila ishte paralajmëruar edhe për medie, në zyrat e KPMM-së është paraqitur vetëm kryetarja e këtij komisioni të Kuvendit, Sala Berisha-Shala, raporton Ekonomia Online.

“Disa nga deputetët u vonuan për të ardhur në këtë vizitë. I pritëm por nuk erdhën”, tha Berisha-Shala.

Kryetari i Bordit të KPPM-së, Musa Shabani, foli për sfidat me të cilat ballafaqohen, siç janë borxhet që nuk mund t’i inkasojnë dhe ekonomia joformale. Ai tha se me gjithë sfidat gjendja e sektorit minerar është duke u avancuar.

“Gjendja aktuale e sektorit minerar është në avancim e sipër. Kemi lëshuar 66 leje për aktivitete të veçanta.  Ne mendojmë se zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit arrihet duke shfrytëzuar potencialin e pasurive në Kosovë”.

“Ndërkohë, prodhimi i energjisë elektrike është përballur me probleme të shpronësimit. Kjo ka krijuar deficit”.

Shabani saktësoi se në Kosovë veprojnë mbi 530 subjekte që lidhen me minerale dhe miniera. “Licencat e Trepçës kanë shkaktuar vetëm borxhe. Sfidë tjetër është statusi i ‘Trepçës’. Edhe pse ligji është miratuar më 2016, ai nuk po zbatohet”.

“Problemet me ekonominë joformale, këtu duhet të thellohet bashkëpunimi me institucionet. Sfidë tjetër është borxhi, pjesën më të madhe të tij e krijon Trepça”, shtoi Shabani.

Ai saktësoi se borxhet ndaj KPPM-së arrijnë në mbi 10 milionë euro. “Kemi kërkuar që të paguhet ky borxh, nëse nuk paguhet detyrohemi qe lëndën ta dërgojmë në prokurori”.

Ndërsa, në përpjekje për ta luftuar ekonominë joformale, ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2017 kanë bërë 79 denoncime në Prokurorinë e Shtetit.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha-Shala, e pyetur nga EO, tha se ligji i ri për sektorin e minierave dhe mineraleve pritet të miratohet në fund të muajit mars.

“Unë kam pritur që do të jetë në seancën e nesërme, mirëpo nuk është futur në rend dite. Kah 22 shkurti pritet të jetë në lexim të parë në Kuvend, ndërsa kah fundi i marsit pritet që ligji të miratohet.  Unë kam kërkuar të iniciojmë një ligj të ri sepse është më vështirë të zbatohet një plotësim-ndryshim i ligjit. Ligjin tani e kemi në procedurë. Besoj që bashkërisht të arrijmë që ligjin e ri të futet në fuqi”, tha ajo.

Berisha-Shala kërkoi të dijë më shumë nga Bordi i KPMM-së lidhur situatën e investimeve të huaja dhe për rentat.

Kryetari i Bordit të KPMM-së, Shabani, tha se sipas një analize, rentat në Kosovë tona janë të favorshme se në rajon.

Ai ka treguar se më 25 prill do të organizojnë një konferencë në Kosovë për të promovuar këtë sektorin. “Do të tentojmë t’i thërrasim shtetet e fuqishme; kemi premtime se do të marrin pjesë investitorë potencialë nga Gjermania. Do të organizohen disa takime për të gjetur mundësi për investime gjermane në fushën e minierave”, theksoi Shabani.

Të ngjashme