Deputeti gjerman: Mobilizimi i ushtrisë serbe – sulm ndaj Evropës

Prishtinë | 02 Tet 2023 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Deputeti gjerman Adis Ahmetoviq dhe Kryetar i Nënkomitetit për Politikë Ndërkombëtare të Klimës dhe Energjisë, ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e destabilizimit në Evropë.

Në një deklaratë për shtyp, Ahmetoviq ka theksuar se loja e rrezikshme e forcave autokratike në Ballkanin Perëndimor po sjell një dimension të ri në këtë krizë të përgjithshme.

Sipas politikanit socialdemokrat mobilizimi ushtarak i forcave serbe në kufirin verior të Kosovës dhe deklarata e presidentit të “Republika Srpska-s”, Milorad Dodik, për shkëputje, janë sulme të qarta ndaj Evropës liberale demokratike. Këto veprime synojnë të shtyjnë kufijtë dhe kështu të shkaktojnë konflikte të mëtejshme në Evropë.

Ai është shprehur se është evidente që ka lidhje të ngushta mes agresionit rus në Ukrainë dhe konflikteve në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, por për këtë nuk janë të vetëdijshëm të gjithë në Komisionin e BE-së. Ai është i mendimit se presidenti rus, Vladimir Putin, ka shfrytëzuar situatën për të krijuar paqartësi dhe tensione në rajonin e Ballkanit Perëndimor, raporton Deutsche Welle, transmeton Klankosova.tv.

“Me luftën në Ukrainë, Putini e ka kapërcyer portën e parë të sulmit në Evropën Lindore. Me këtë përpjekje të njëkohshme për të ringjallur konflikte të reja në Ballkanin Perëndimor, siç po ndodh aktualisht në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, Perëndimi po vihet përballë një prove të mëtejshme, së cilës ne duhet t’i kundërvihemi me çdo vendosmëri. “

Në këtë kontekst, Ahmetovic bën thirrje për vendosmëri të shtuar nga Bashkimi Evropian. Ai thekson se porta e dytë për hyrjen në Evropën Lindore është e lëkundur nga agresioni rus dhe konfliktet në Ballkanin Perëndimor. Në këtë situatë, është e rëndësishme që BE-ja të angazhohet në mënyrë më aktive dhe të mbrojë lirinë dhe sigurinë në kontinentin evropian.

Ahmetoviq përsërit thirrjen ndaj palës serbe për deeskalim të menjëhershëm në Kosovë dhe ndalim të grumbullimit të trupave serbe në kufi. Ai shton se kjo jo vetëm që do të ruajë stabilitetin e rajonit, por gjithashtu do të siguronte kredibilitetin e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të mundshëm në Bashkimin Evropian.

Ai bën thirrje për veprime të menjëhershme nga Gjermania, shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-ja për të parandaluar përkeqësimin e situatës dhe për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Evropë.

Të ngjashme