Deputeti i AAK-së kundër vendimit të ministrit Skender Reçica

Prishtinë | 14 Tet 2020 | 18:48 | Nga Ekonomia Online


Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla është shprehur kundër vendimit të qeverisë i cili parasheh që çdo veteranë i UÇK-së duhet të lajmërohet dy herë në vit në zyrat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Përmes një postimi në Facebook, Syla ka kërkuar nga ministri i MPMS-së, Skender Reçica që ta rishikoi këtë vendim.

“Pas vendimit të marrë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku çdo veterani i duhet të lajmërohet në zyret e Ministrisë dy herë në vit, për të deklaruar që janë gjallë, shpreh kundërshtimin tim ndaj vendimit, i cili edhe pse mund të ketë qëllim të mirë, zbatimi i tij është në kohën e gabuar. Andaj kërkoj nga ju që të rishikoni këtë vendim dhe të shtyni zbatimin e tij deri pas përfundimit të gjendjes pandemike”, ka shkruar Syla. 

Syla ka thënë se grumbullimi i veteranëve pranë zyrave të MPMS-së, rrezikon edhe shëndetin publik në rrethana pandemie. 

“Grumbullimi i veteranëve pranë zyrave të ministrisë që ju e drejtoni, është përpos i ndaluar, ashtu edhe i rrezikshëm për shëndetin publik, sepse grumbullime të tilla mund të bëhen vatra të përhapjes së virusit”, është shprehur Syla.

Të ngjashme