Deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani ka thënë se vlerëson iniciativën e grupit të deputetëve për kthimin e eshtrave të Kolonel Ahmet Krasniqit në Kosovë.
Ai ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe Shqipëri t’i gjejnë dhe t’i dënojnë vrasësit e tij.
Në profilin e tij në Facebook, Rrahmani ka shkruar se e vlerëson iniciativën e një grupi të deputetëve për kthimin e eshtrave të Kolonel Ahmet Krasniqit në Kosovë. Mirëpo, ai ka thënë se është e pakuptueshme se si edhe pas 20 vitesh një pjesë e politikës kosovare nuk po arrijnë t’i tejkalojë ndasitë e së kaluarës.
“Është e pa kuptueshme se si edhe pas njëzet viteve ende një pjesë e politikes kosovare nuk po arrin tē tejkalojë ndasitë që kanë ekzistuar në të kaluarën, edhe pse gjithnjë e më shumë po dëshmohet se vizioni dhe projekti i Presidentit Rugova me bashkëpunëtorë në periudhë që kemi kaluar ka qenë dhe mbetet unik dhe pa alternativë”, ka shkruar Rrahmani.
Ai ka thënë se këto ndasi nuk kanë mundur të tejkalohen as në propozimin e emrit të ushtrisë së Kosovës.
Rrahmani tutje ka theksuar se vepra dhe lavdia e Kolonel Ahmet Krasniqit nuk mund të zbehet dhe se vepra e tij do të ndriçohet edhe më shumë, me kalimin e viteve.
“Vepra dhe lavdia e Ministrit të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, nuk ka mundësi të zbehet. Me kalimin e viteve vepra e tij vetëm sa do të ndriçohet edhe më shumë. Institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe Shqipëri ju mbetet edhe më tutje obligim të gjejnë kriminelët dhe ti vendosin ata para ligjit”, ka shkruar Rrahmani.