Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni e ka përmendur pandeminë e koronavirusit si arsyetim që ishte vonuar në procedurat e deklarimit të pasurisë.
Dënimi i Hysenit me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë u bë publik vetëm tash.
Hyseni i tha Gazetës Express se nuk ka dashur ta bëjë çështje dënimin e tij, të cilin e konsideron të padrejtë dhe të pabazë.
“Ka qenë thjesht një keqkuptim edhe një ngatërrim në dorëzimin e deklaratës së cilës unë e kam deklaruar në vazhdimësi. Prandaj, s’ka pasë bash asnjë bazë. Por, meqë ka qenë ligj e kam zbatuar si të tillë dhe e kam paguar. Ka pasë vetëm pse s’janë deklaruar me kohë, i kam edhe komunikimet kur i kam dorëzuar, por nuk e di pse janë ngatërruar dhe s’kam dashtë as ta bëj çështje… Kjo ka ndodh në kohën e Covid-it kur edhe ata s’kanë punuar edhe ne i kemi pasë të vështira mënyrat e komunikimit”, tha ai.
Hyseni ishte dënuar për mosraportim të pasurisë më 7 nëntor të vitit të kaluar. Aktakuza i ishte ngritur më 7 tetor të po atij viti, sipas “Betimit për Drejtësi”.
Në arsyetimin e aktgjykimit ndaj Hysenit, thuhet se ai në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit me rastin e marrjes se detyrës së deputetit.
Tutje, thuhet se deputeti Hyseni nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit prej 30 ditësh edhe pse ka qenë i njoftuar me kohë nga ana e zyrtares kontraktuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta bërë deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës.
Në vendim thuhet se gjykata më 7 tetor 2022, ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj Hysenit për veprën penale “Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” së bashku me shkresat e lëndës.
Andaj, gjykata duke u bazuar në këto prova, kishte vërtetuar se veprimet e Hysenit përbënin vepër penale të mosraportimit të pasurisë, duke shpallur edhe aktgjykimin dënues.
Për mos-deklarim të pasurisë më 29 dhjetor 2022 ishte dënuar me 700 euro gjobë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Përveç Hajdarit, për veprën e njëjtë penale, më 5 dhjetor 2022 është dënuar me 500 euro gjobë edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.
Deputeti i LVV-së për dënimin për mosdeklarim të pasurisë: S’desha ta bëj çështje, ndodhi në kohën e Covidit.