Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha ka reaguar pas deklaratës së kreut të Mitrovicës, Agim Bahtiri i cili gjatë ditës ka kërkuar Presidentit Hashim Thaçi t’i shpallë zgjedhjet ose ndryshe mund të ketë vëllavrasje.
“Deklaratat e fundit nga drejtuesit e LVV-së si brenda vendit po ashtu edhe jashtë vendit për nxitje te vëllavrasjeve në Kosovë janë skandaloze dhe të pa pranueshme. Këto deklarata e minojnë sistemin e demokracisë në Kosovë”, ka shkruar Hoxha.
Ai ka thënë se ndaj deklaratave të tilla nxitëse të cilat e zgjedhin edhe vëllavrasjen si mjet për të qëndruar në pushtet duhet të ketë distancim publik.
Hoxha nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se që nga paslufta e deri më tani në Kosovë ka ekzistuar një demokraci relativisht e mirë ndërmjet partive politike, pavarësisht a kanë qenë ato në opozitë apo në pozitë, gjë qe janë përmbajtur kundër thirrjeve nxitëse për dhunë e vëllavrasje.
“Deklaratat e fundit nga drejtuesit e LVV-së si brenda vendit po ashtu edhe jashtë vendit për nxitje te vëllavrasjeve në Kosovë janë skandaloze dhe të pa pranueshme. Këto deklarata e minojnë sistemin e demokracisë në Kosovë, andaj, prokuroria duhet të veproj mënjëherë ndaj të gjithë personave që bëjnë thirrje dhe që mbjellin frikë për vëllavrasje në vendin tonë”, ka thënë ai.