Deputeti nga Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, ka thënë se po negociohet vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.
Ai ka akuzuar Qeverinë e kaluar dhe Ministrinë e Shëndetësisë për menaxhim të dobët dhe krijimin e një situate pandemike të rëndë.
“Ne u detyruam të ndërmarrim masa që të ndërpresim trendin e rritjes që të shkarkoheshin spitalet e stërmbushura dhe të ndërpritej rritja”.
“Kemi të siguruara mjetet dhe vazhdimisht po negociojmë me kompanitë më të mëdha në mënyrë që nga maji e tutje të vaksinohet popullata pandërprerë. Nga maji do të ketë kontingjente të ndryshme që do të vijnë edhe nga BE-ja dhe në faza të ndryshme që deri në fund të vitit të marrim doza të mjaftueshme”.
Shkreta në Klan Kosova ka thënë se Qeveria e ka në prioritet vaksinat.
“Niveli i diskutimeve është shumë i lartë, përfshirë kryeministrin dhe presidenten. Edhe Kurti e shtroi edhe çështjen e pandemisë në Bruksel. Niveli i marrjes me këtë çështje është niveli më i lartë i shtetit”.