Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha ka thënë se ka ardhur koha që Kosova t’u thotë jo tendencave të Serbisë për cenimin e sovranitetit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Rexhaj ka thënë se nesër në seancën e Kuvendit pritet që të votohet një rezolutë lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.
“Pati një unitet të gjithë spektrit politik, me që rast nesër kemi edhe një seancë të jashtëzakonshme ku sigurisht do të diskutojmë dhe do të debatojmë rreth kësaj çështje. Rëndom si ndodhë zakonisht do ta votojmë edhe një rezolutë me ç’rast pastaj Qeveria e Kosovës është e obliguar që ta zbatojë atë”, ka thënë ai.
Deputeti i VV-së theksoi se pavarësisht se Kosova ka qenë në linjë me SHBA-të dhe me shtete e QUINT-it, në këtë rast duhet t’u thotë jo mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.
“Kosova përherë ka qenë në një linjë me aleatët tanë por edhe me QUINT-in. Besoj që kjo çështje do të tejkalohet këtë radhë. Mendoj se ka ardhur koha që të themi jo qëndrimeve që na kanë cenuar shpeshherë rreth sovranitetit të vendit. Mendoj që kjo çështje do t’u takojë së pari deputetëve, që mund të thirren në emër të qytetarëve”, deklaroi ai në T7.
“Konform asaj që kanë deklaruar partitë politike përfshirë edhe LVV-në, do të hartohet një rezoluta që i shpreh këto. Kosova gjithmonë ka qenë në linjë me SHBA-të dhe shtete e QUINT-it, mirëpo besoj që kjo duhet të tejkalohet dhe duhet të kihet parasysh që duhet t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë tendencave të Serbisë që të ushtrojë ndikim dhe të cenoj sovranitetin e Republikës së Kosovës”, tha Rexhaj.