Deputeti i VV-së: Lista serbe “infrastrukturë” e Radojiçiqit, veprimi ynë ndërlidhet me qëndrimet e tyre krah terroristëve

| 05 Dhj 2024 | 16:40 | Nga

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, i ka quajtur “infrastrukturë” të grupeve kriminale në veri, deputetët e listës serbe, të cilët në shenjë revolte nuk u lejuan të ulën në ulëset e Kuvendit nga deputetët e pushtetit, raporton Ekonomia Online.

Për më shumë se disa muaj bojkoti, deputetët e listës serbe erdhën në Kuvend të Kosovës, por nuk u lejuan nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Për këtë, Hyseni ka thënë për Ekonomia Online se vendimi është marrë për arsye që të njëjtit asnjëherë nuk janë distancuar nga aktet terroriste në veri të vendit dhe mbështetjen që sipas tij po i bëjnë kryekriminelit, Milan Radojiçiq.

“Po ne ishim në periudhën kur disa prej komisioneve kishin agjendën e tyre për të trajtuar disa prej projektligjeve që i kaluam në procedurë të shpejtë parlamentare dhe më pas pamë që deputetët e Listës serbe po futeshin në sallën e Kuvendit. Për disa momente ata qëndruan në bufenë lartë, më pastaj ata tentuan që të vijnë edhe të ulën në ulëset e tyre në sallën plenare. Ajo që mund të them është që ne në formë shumë demokratike protestuam ndaj ardhjes së tyre por edhe kjo është një shenjë e protestimit ndaj qëndrimit të tyre krah terroristëve, krah grupeve të terroristit në veri por sidomos ju e keni vërejtur që këta deputetë nuk janë zëri i qytetarëve serb në Kuvendin e Kosovës, sepse asnjëherë të vetmen nuk kanë ardhë me ngrit ndonjë çështje sa i takon nevojave që i ka komuniteti serb në Kosovë”, ka thënë Hyseni, teksa të njëjtit i quan të kontrolluar nga Milan Radojiçiq.

“Ajo çfarë dua të them me këtë rast është që e tërë revolta jonë është sepse ne kemi të bëjmë me deputetë të cilët kontrollohen direkt nga krimineli Radojiçiq, janë mbështetës të organizatave terroriste në veri të Kosovës dhe janë frymëzim edhe për akte terroriste që ndodhin në territorin e Kosovës. Rrjedhimisht, kjo ishte edhe arsyeja pse grupi parlamentar ishte i përcaktuar që sot ata të mos lejohen që të zënë vendet e tyre në ulëset në Kuvend”, u shpreh Hyseni.

Hyseni ka thënë se u ka tërhequr disa herë vërejtjen që nuk janë zëri i qytetarëve serb por “infrastrukturë” e grupeve terroriste në veri të Kosovës.

“Ka pas deklarata, ne ju kemi tërheq vërejtjen pse nuk jeni zëri i qytetarëve serb në Kuvendin e Kosovës, pse asnjëherë nuk vini me ngrit çështje preokupojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, por gjithmonë jeni krah i veprimeve të Radojiçiqit, gjithmonë jeni ‘infrastruktura’ e cila i mundëson që ai (Radojiçiq) të shtrijë ende veprimtarinë e tij në Kosovë dhe rrjedhimisht e patë edhe epilogun me hyrjen e kryetarit të Kuvendit dhe përgjigjen që ata morën dhe normalisht që liruan sallën dhe u larguan”, u shpreh ai.

Të ngjashme