Deputeti i VV-së: Prona e Manastirit të Deçanit ka ekzistuar nga 1947-ta, erdhi koha që Qeveria Kurti të vendosë

Prishtinë | 14 Mar 2024 | 12:36 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka dashur ta relativizojë dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, duke bërë krahasim me privatizimin “e lirë” të tokave, raporton Ekonomia Online.

Deputeti Thaçi, gjithashtu, e arsyetoi shefin e tij të partisë, kryeministrin Albin Kurti, i cili një ditë më herët e urdhëroi Agjencinë Kadastrale të Kosovës që t’ia bartë pronën Manastirit Ortodoks Serb. Ai deklaroi se prona ka figuruar e Manastirit që nga viti 1947, dhe se kishte ardhur koha që vendimin e Gjykatës Kushtetuese ta zbatojë Qeveria Kurti.

“Sigurisht që ka qenë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Dhe të mos harrojmë që në Kosovë mbi 30 mijë hektar tokë janë privatizuar, e çmimi mesatar ka qenë 34 euro për ari. Dhe të mos harrojmë që në Kosovë vazhdimisht ka pasur privatizim të pronave”, u shpreh ai.

“24 hektarë tokë, unë konsideroj që sigurisht ka qenë nga viti 1947, para vitit 1947, kanë qenë pronë e Manastirit të Deçanit dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka ardhur koha që Qeveria të vendosë për një gjë të tillë”, deklaroi Thaçi i Vetëvendosjes.

Partia në pushtet kishte akuzuar qeveritë e kaluara, por edhe Gjykatën Kushtetuese se po dëshironin t’i falnin tokë Manastirit të Deçanit, duke u bazuar në një vendim të kohë së Millosheviqit. Kurti kishte premtuar se ky vendim nuk do të zbatohej kur të vinte në pushtet, por dje në mbledhjen e Qeverisë tha se ky vendim është i nevojshëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Të ngjashme