Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha ka kërkuar që të hiqet kufizimi i lëvizjes së lirë në mënyrë që qytetarët t’i shijojnë zbukurimet e shesheve për festat e fundvitit, përcjell Ekonomia Online.
“Në shumë komuna është bërë zbukurimi i shesheve për festat e fundvitit, mirëpo këtë ndriçim nuk po e shijojnë fëmijët, ata që më shumti gëzohen me bredhin e dritat për shkak të ndalesave”, ka shkruar Basha në profilin e tij zyrtar.
“Ndoshta dikush e kupton mbylljen e lokaleve, edhe pse tanimë iu ka dal komplet dore menaxhimi, mirëpo është absolutisht absurde vendimi m’i mbyll qytetarët të mos shëtisin në ambiente të hapura, e sidomos fëmijët që t’i gëzojnë ndriçimet në sheshe”, shtoi ai.
Tutje, deputeti i VV-së tha se meqenëse nuk ka hapësira për aktivitete që qytetarët t’i shijojnë, të paktën të jenë të lirë të gëzojnë ndriçimin i shesheve për fundvit.
“Edhe ashtu nuk është se kemi parqe apo hapësira për aktivitete për ta, prandaj duhet që t’ua mundësojmë që t’i gëzojmë sadopak me këto drita duke i lënë të lëvizin lirshëm në mbrëmje, e jo t’i ndezim dritat e t’i dënojme fëmijët duke i shikuar ato nga dritaret.
Në fund ai i ka bërë thirrje Ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj që urgjentisht të lejohet lëvizja e lirë, duke theksuar se infektimi nuk ndodh në ambient të hapur dhe duhet që prindërit me fëmijë t’iu gëzohen këtyre festave, sepse sipas tij është absurde dhe e dhimbshme izolimi i fëmijëve brenda derisa bredhi me ndriçime shkëlqejnë jashtë.