Deputeti i VV-së tha se “PDK-ja ende s’e ka braktisur vrasjen si mjet”, Gjoshi paralajmëron padi ndaj tij

Prishtinë | 30 Gus 2023 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, i ka reaguar deputetit të VV-së, Artan Abarshi, i cili tha se kryetari i OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, vazhdimisht e ka deklaruar dhe e deklaron mbështetjen e tij për PDK-në.

Gjoshi tha se një deklaratë e tillë është shpifëse dhe po të mos ishte “kaq absurde, e ligë dhe fyese, do të ishte qesharake”, teksa paralajmëroi veprime ligjore për deklarimin e Abrashit.

“PDK tashmë ka përgatitur padinë për shpifje ndaj deputetit Artan Abrashi, e cila do t’u dorëzohet organeve të drejtësisë. Me shpifje të tilla do të merret vetëm drejtësia dhe ne presim që të gjithë, pa përjashtim, edhe zyrtarët publikë, të marrin dënimin e merituar”, shkroi Gjoshi, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se asnjë deklaratë e tillë si e Abrashit nuk do të arrijë të mbulojë humnerën që sipas tij, ka rënë pushteti aktual.

“Koordinimin me kriminelët serbë, vjedhjen e rezervave shtetërore, hajninë me energjinë, trafikimin e lëndëve narkotike dhe keqqeverisjen – nuk kanë më fuqi dhe kredibilitet, as moral e as politik, që ta mbrojë askush – aq më pak një deputet i dobët si Artan Abrashi”, tha ai.

Deputeti i VV-së deklaroi sot se kreu i OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, përherë ka vepruar dhe vepron në koordinim të hapur me agjendën politike të PDK-së.

“OVL në krye me të ishte dhe është instrument politik i PDK-së. Faton Klinaku është ndërgjegja e kulluar e PDK-së, instikti i saj pa mbulesën e gjuhës së matur. Pse ndër mijëra fjalë për të ilustruar një mendim, ai zgjedhi pikërisht fjalën vrasje? Kjo flet shumë. Është dëshmia e qartë se PDK në regjistrin e saj të metodave ende nuk e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve të vet”, tha Abrashi.

Të ngjashme