Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani ka njoftuar se sot në Gjykatën Themelore të Ferizajt ka dorëzuar përgjigjen në padi.
Ai thotë se korrupsioni po përpiqet të mbrohet duke sulmuar, prandaj ai shkruan se zyrtarët e korruptuar e kanë paditur pse ai ka përmendur korrupsionin.
“Si duket ka një strategji, që tentojnë të më ndalin nga puna e angazhimi, duke më dërguar në Gjykatë për veprimtarinë time politike”, ka shkruar ndër të tjera Ramadani në llogarinë e tij në Facebook.
Postimi i plotë i Ramadanit:
Kundër korrupsionit nuk ndalem
Korrupsioni po përpiqet të mbrohet duke sulmuar, prandaj zyrtarët e korruptuar më kanë paditur pse ua kam përmendur korrupsionin. Në Gjykatën Themelore të Ferizajt, sot e dorëzova përgjigjen në padi, por as mua e asnjë aktivist apo qytetar, nuk na frikësojnë e aq më pak mund të na ndalin.
Si duket ka një strategji, që tentojnë të më ndalin nga puna e angazhimi, duke më dërguar në Gjykatë për veprimtarinë time politike. E kanë provuar edhe me bashkëaktivistë të tjerë të Vetëvendosjes, edhe me mua. Herë me aktakuza e herë me padi, PDK-ja dhe financuesit e saj (që në fakt janë përfitues nga paratë publike të Komunës) po orvaten të përdorin gjykatat për të ma mbyllur gojën.
Edhe nëse nuk e njihni Besim Sulejmanin, me siguri çdonjëri në Ferizaj ka dëgjuar për kompaninë “Bardhi”. Emri i saj shihet në nënkalim (a thua se e ka bërë donacion e jo që është paguar shumëfish më shtrenjtë se çmimi real) e edhe në qiellin gjithandej Ferizajt që po ngushtohet gjithnjë e më shumë, me ndërtesa të larta pa asnjë siguri, pa kritere e zero standard.
Pronari i kësaj kompanie më ka bërë padi për shpifje, sepse e kam folur të vërtetën për kurdisjen që kjo kompani e ka bërë përmes Afrim Matoshit te Agim Aliu, duke përfituar paratë e taksave tona si një nomenklaturë e paligjshme. Këto padi nuk më frikësojnë aspak.
Elementi pozitiv që ka ndodhur nga ngritja jonë e zërit është se projekti “Bashkimi i Qytetit” po auditohet. Besoj fuqimisht që të gjeturat e shkeljet e shumta në raport, do të jenë bazë e fortë që ai projekt edhe të hetohet nga Prokuroria. Ne do të vazhdojmë ta ngremë zërin për aferat korruptive, dhe do të ftojmë prokurorinë dhe institucionet të hetojnë, sepse komuna e Ferizajt është një nga komunat më të pasura, por pasuria duhet të sjellë zhvillim dhe jo korrupsion.
Sa i përket padisë që ma kanë bërë, me betejën time gjyqësore e me faktet që do t’i paraqes në procesin ligjor me pronarin e “Bardhi”, Besim Sulejmani, do t’ia bëj më të lehtë Prokurorisë të provuarit e grabitjes së fondeve publike në vlerë miliona euro, për një projekt me beton që na e ka betonizuar edhe më shumë qytetin. Madje duke e paguar shumë shtrenjtë e në kurriz të shëndetit, duke i rrudhur hapësirat e gjelbra përditë!
Valon Ramadani