Deputeti Kastrati hedh dyshime për keqpërdorim të buxhetit për tekstet shkollore

Prishtinë | 17 Maj 2024 | 14:38 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati ka hedhur dyshime se ka pasur keqpërdorime të buxhetit nga Ministria e Arsimit në vitin e kaluar për tekstet shkollore, raporton Ekonomia Online.

Në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, Kastrati e ka quajtur hajni të MAShT-it keqpërdorimin e buxhetit për tekstet shkollore teksa i ka drejtuar disa pyetje.

Ai ka pyetur se si është organizuar procesi i subvencionimit të teksteve shkollore në të gjitha fazat dhe se a kanë përfituar të gjithë nxënësit nga mjetet mësimore.

Në mesin e shumë pyetjeve, Kastrati tha se duhet të sigurohen proceset verbale dhe të shihet se pse kanë dështuar negociatat me shtëpitë botuese.

“Po e quaj hajni në MASHT, po i drejtoj disa pyetje MASHT-it, pse ka dështuar negociatat në shtëpitë botuese, duhet të sigurohen proceset verbale, si është organizuar procesi i subvencionimit në të gjitha fazat, A kanë përfituar të gjithë nxënësit nga mjetet mësimore?Cilat kanë qenë ofertat e shtëpisë botuese”, ka pyetur Kastrati.

Ai ka thënë se këto pyetje duhet të ju dërgohen edhe Drejtorive Komunale të Arsimit.

Po ashtu edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka drejtuar disa pyetje në Komision duke thënë “Se e ka pasur vonesë në furnizim me tekste shkollore” teksa ka kërkuar edhe një listë të prindërve dhe nxënësve që janë subvencionuar për tekstet shkollore duke thënë se të njëjtit kanë mundur të jenë jashtë vendit.

Ai ka kërkuar listat të tilla në mënyrë që të shihet a janë përmbushur të gjitha obligimet ligjore në lidhje me subvencionimin e teksteve shkollore.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e LVV-së, Armend Muja përmendi draftin e miratuar të punës e që sipas planit të tij tha se është edhe kërkesa për dokumentacion e të dhëna, duke sugjeruar që të parashtrohen të gjitha provat dhe analizat një javore, të propozohet lista e dëshmitarëve.

“Unë propozoj që fillimisht ti detajomë pretendimet që i kemi dhe dokumentet që do iu kërkojmë institucioneve. Pretendimi nr 1 është që është shkelur Ligji për arsimin parauniversitar, nr. 2 këtë dështim MAShTI është përpjekur që ta mbulojë me negociatat e dështuar me shtëpitë botuese. Pretendimi tjetër për nxënësit e nivelit 1-9 në shumën prej 30 eurove është i paligjshëm. Prentedimi tjetër i buxhetit të Kosovës kjo i ka kushtuar miliona euro……, unë e kam nje liste të dokumenteve që do i kërkoj e pastaj në atë ta miratojmë edhe listën e dëshmitarëve”, ka thënë Muja.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se u duhen dokumente për vitin 2023/24 prej procesit të planifikimit, përgatitja e tenderit për blerjen e teksteve shkollore, vendimet përkatese e  deri tek anulimi i tij.

“Listës së dokumenteve dhe dëshmitarëve e miratuam në rendin e ditës, kështu që brenda kësaj baze jemi në rregull por s’mundemi me i nda dokumentacionet prej dëshmitarëve, edhe për vitet paraprake. Çkado që kërkohet jam pro, na duhen dokumente për vitin 2023/24 prej procesit të planifikimit, përgatitja e tenderit për blerjen e teksteve shkollore, vendimet përkatese deri tek anulimi i tij, vendimet e qeverisë per subvencionime, ligjin për arsimin e lartë, na vyjnë lista e nr të nxënësve edhe për vitet paraprake edhe për atë vit, dhe listën e personave përfitues. Na intereson me dit a kanë marrë të gjithë prindërit që kanë pas nevojë apo ka dikush qe ka qenë jasht vendit e përfitu prej këtij buxheti e fëmijët i ka pas në gjermani”, ka thënë Haxhiu.

Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi ka thënë se u duhet parprakisht të kenë një listë të të gjithë procesit filluar nga vendimi i Qeverisë, ministra e Arsimit, drejtoritë komunale, shtëpitë botuese, dhe në fund të dalim me një përfundim.

“Ne duhet paraprakisht të kemi një listë të gjithë procesit filluar nga vendimi i Qeverisë, ministra e Arsimit, drejtoritë komunale, shtëpitë botuese, dhe në fund të dalim me një përfundim, ta shohim se sa i ka kushtuar ky eksperiment MAShTI-t, sa mjete, a janë kuresyer apo i kanë humbur buxhetit, numri i orëve të humbura. Duhet të kemi informacione nga drejtoritë komunale sepse supozohet që edhe sot ka nxënës që nuk i kanë librat komplet, andaj besoj që do ta japim kontributin tonë me transparencë të plote”, ka thënë Dumoshi.

Deputetja e LVV-së, Mirlinda Tishukaj tha se duhet të ketë raport edhe nga eKosova pasi sipas saj prindërit kanë aplikuar përmes tij. “Kosova i ka 28 komuna dhe nuk mund ti ftojmë të gjithë drejtorët e DKA-ve pasi ti intervistojmë të gjithë na merr kohë”, ka thënë Tishukaj.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Agim Veliu ka thënë se kemi me arritë deri te një e vërtetë që nuk mund të shihet se çka ka ndodh me shpërndarjen e teksteve.

“Për mua pikënisje e këtij komisioni dhe rregullativave ligjore e shpërndarjes së teksteve dhe lista e përfituesve e pastaj është ti shqyrtojmë një nga një. Kemi me arritë deri te një e vërtetë që nuk mund të shifet se çka ka ndodh me shpërndarjen e teksteve”, ka thënë Veliu.

Deputeti Haxhiu ka shtuar se duhet të kuptojmë se jemi në fazën e diskutimit.

“E para çka duhet të kuptojmë është se jemi në fazën e diskutimit. Çdo anëtar ka të drejtë diskutimi, askush mundet me ia ndalu me propozu mu ka dashtë me i ble krejt librat e klasës 6, po flas prej përvojës personale”, tha Haxhiu.

Deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza e quajtur inovacion dhe reformë.

“Unë nuk e kisha quajtur paaftësi, por inovacion dhe reformë”, ka thënë ajo.

“Krejt këtë që diskutuam sot, listën e dokumetacionit bashkë me atë të dëshmitarëve e dorëzojmë në administratë dhe kalojmë në proces”, ka shtuar deputeti Bekim Haxhiu.

U vendos që lista e dokumentave të përcillet tek administrata.

Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, ka arritur të konstituohet më 26 prill.

Të ngjashme