Deputeti kosovar në Parlamentin e Landit të Bavarisë së Epërme, Deli Balidemaj, e konsideron moment të fundit hapjen e Urës së Ibrit, ndërsa shpreh kritika edhe për faktorin ndërkombëtar.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Balidemaj ka thënë se çështjet e brendshme assesi nuk duhet të dialogohen me Serbinë, ndërsa ka kritika edhe për mënyrën se si partitë opozitare i qasen temës së Urës së Ibrit.
Ai ka thënë se hapja e saj do t’i shërbejë komunitetit serb për t’u integruar dhe se e njëjta nuk duhet të jetë “mollë sherri”.
“Unë mendoj se Ura ka qenë radha që vite përpara të hapej pasi që urat janë në të gjithë boten për t’i bashkuar njerëzit, për të funksionuar kapitali dhe lëvizja e njerëzve të ndryshëm dhe jo për ndarje. Ura e Ibrit që nga lufta ka qenë më tepër ndarje dhe sa më parë që të hapet ajo urë, besoj se do ta ketë mundësinë edhe komuniteti serb t’i bashkëngjitet komuniteteve të tjera të cilat jetojnë në Kosovë dhe ta heqin një barrë të rëndë që kanë mbi veten si një mur përpara që simbolizon një urë e tillë”
Balidemaj ka pasur kritika edhe për bashkësinë ndërkombëtare të cilët kërkojnë bashkërendim në çdo veprim të Qeverisë Kurti.
“Bashkësia ndërkombëtare ka dhënë ide të tilla dhe vitet e fundit çdo veprim që ka vepruar Qeveria e Kosovës ata kanë kërkuar bashkërendim i cili ka qenë çdo herë i mirë, por edhe bashkërendimet i kanë kufijtë e vetë. Unë mendoj që Kosova nuk ka kohë më për të humbur sepse pa u rregulluar raportet me komunitetin serb është shumë e vështirë që Kosova të tërheq investitorë të huaj”, u shpreh ai, teksa foli edhe për migrimin e të rinjve. Këtë dukuri, Balidemaj e sheh shqetësuese.
“Ne po e shohim që rinia është duke ikur në masë të madhe dhe Kosova është duke mbetur pa njerëz të ri dhe të mençur, shkolluar dhe këto janë resurset që i duhen këtij vendi, sa më parë që qetësohen marrëdhëniet ndërnjerëzore në Kosovë që komuniteti serb të ketë ndjenjën që Kosova është vendi i tyre në të cilin jetojnë me dëshirë, atëherë rruga e Kosovës zhvillimi i saj do të jetë më i përshpejtuar. Elementet ndërkombëtare, shtetet e ndryshme i kanë interesat e tyre jo vetëm në Evropë por në përgjithësi, ne kemi aktualisht dy lufta të tmerrshme të cilat ndodhen jo larg prej neve, edhe politikanët dhe shtetet e ndryshme i kanë planet e veta që janë afatgjata, në të cilat Kosova zë një vend shumë të vogël”.
Deputeti kosovar në qytetin e Bavarisë, e konsideron absurde të diskutohet hapja e një ure e cila është e qarkullueshme për këmbësor. Ka thënë se ekzistojnë dy ura të tjera në të cilën lëvizin edhe mjetet automobilistike.
“Të diskutohet me dikën për hapjen e kësaj ure e cila është realisht e hapur sepse këmbësorët lëvizin dhe në afërsi të asaj ure ekzistojnë edhe dy ura të tjera në të cilën lëvizin edhe mjete automobilistike, nuk kisha lejuar të diskutojnë për atë çështje dhe komuniteti ndërkombëtarë duhet të ketë respekt për qeverinë e Kosovës si dhe për vendimet që i merr pasi që ato janë në të mirë të vendit dhe të gjitha komuniteteve”, u shpreh ai.
Ai ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk duhet të bisedojë për çështjet e brendshme në dialog me Serbinë e sidomos çështja e Urës së Ibrit.
“Unë nuk mendoj se duhet të dialogohet për një gjë të tille e sidomos për çështjet e brendshme, është befasuese që trupat e KFOR-iy janë vendosur në urë, pasi që KFOR-i është këtu për t’i ruajtur kufijtë e jashtëm, ka disa njerëz të cilët lobojnë për interesa të ndryshme të faktorëve ndërkombëtare, nuk do të thotë qe ato interesa të përputhen në të mirën e qytetarëve të Kosovës. Befasuese është edhe qëndrimi i opozitës në Kosovë, të gjithë e dimë se detyra e saj parimore është ta kontrollojë qeverinë, ndihmojë, korrigjojë gjatë veprimtarisë së tyre”, u shpreh ai.