Kuvendi i Republikës së Kosovës u përfaqësua në takimin e Komisionit të Përhershëm Qendror të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL/SEECP), i cili u mbajt në Bled të Sllovenisë.
Takimi kishte për qëllim përgatitjen e dokumenteve për seancën plenare të AP të SEECP-së (draft-tekstin e deklaratës së përbashkët dhe agjendën e sesionit plenar), që do të mbahet në prill të këtij viti në Ljubljanë, në të cilën do të marrin pjesë edhe kryetarët e parlamenteve nga të gjitha vendet anëtare pjesëmarrëse në AP të SEECP-së.
Në këtë takim delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës u përfaqësua nga deputeti Zenun Pajaziti, anëtar i delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore.
Gjatë hartimit të tekstit të Draft-Deklaratës dhe votimit të amandamenteve, deputeti Zenun Pajaziti arriti të pengojë votimin e disa amendamenteve të propozuara nga Bukureshti dhe të mbeshtetura nga Beogradi.
Deputetët përfaqësues gjithashtu diskutuan për stagnimin e vendimit në selinë e Sekretariatit të AP të SEECP-së dhe kërkuan mënyra për të dalë nga kjo situatë, si dhe mësuan për Platformën e Qeverisjes SEEDIG – Evropa digjitale, si një nga prioritetet e Presidencës sllovene të PBEJL/SEECP.
Takimi u kryesua nga deputeti i Asamblesë Kombëtare të Paralamentit të Sllovenisë, njëherësh kryetar i Komisionit të Përhershëm Qendror në AP të SEECP, Branko Zorman.
Nga 1 korriku 2017 deri më 30 qershor 2018, Sllovenia mban Presidencën e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Asambleja Parlamentare e SEECP ka një rol të rëndësishëm pasi është një organizatë, ambicia e të cilës është të bëhet organizatë udhëheqëse parlamentare në rajonin e Evropës Juglindore.