Qytetarë të shumtë në rrjete sociale janë ankuar për fatura “të fryra”, në muajin dhjetor.
Ata po deklarojnë se fatura e këtij muaji është shumë më e lartë se ajo paraprake, ndonëse thonë se kanë shpenzuar njëjtë.
Por, pavarësisht ankesave të shumta në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë janë pranuar vetëm 12 ankesa nga konsumatorët deri më tani.
Deputeti i PDK-së për faturat e larta të energjisë elektrike: Mashtrim i madh i kësaj qeverie
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala thotë se një gjë e tillë sa i përket faturave të larta ka qenë e pritshme.
Dhe, krejt kjo sipas tij pasi edhe vitin e kaluar edhe në mars të këtij viti ka pasur shtrenjtim të energjisë elektrike.
Sipas Shalës, rritja e çmimit e cila ka pasuar me rritje të çmimit në faturat e muajit dhjetor është barrë për ekonomitë familjare.
“Mashtrimi i madh i kësaj qeverie ka ndodhë që ka pas ndërhyrje në rregullatorë dhe politikisht kanë ndërhyrë edhe në fazën e parë ka subvencionuar që të mos vërehet çështja e ngritjes kaq e lartë e faturave. Pastaj, këtë vit nuk kemi më subvencionim të Qeverisë dhe praktikisht kemi një shkallë të lartë të rritjes së çmimit e në këtë relacion edhe të rritjes së konsumit i cili tashmë praktikisht është barrë e ekonomive familjare”, ka deklaruar Shala.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha për Front Online se duhet të ketë hetim lidhur me këtë çështje, por se së pari duhet të bëhet një auditim gjeneral, i shpejtë dhe urgjent.
“A duhet të ketë hetim, definitivisht duhet të ketë paraprakisht një auditim gjeneral, të shpejtë, urgjent për të parë se çka po ndodhë më këto fatura sepse baza e dyshimit ekziston tashmë më edhe mediat edhe qytetarët janë ankuar shumë dhe duhet të verifikohen dyshimet të cilat po i ngrisin qytetarët në baza të rregullta ditore”, është shprehur ai.
Ai thotë se tani për tani nuk e din se cila është faza më e mirë, por se ndërhyrje duhet të ketë.
“Aktualisht nuk mund të them se cila është faza më e mirë por se duhet të ketë një ndërhyrje të rregullatorit për të verifikuar dhe audituar këtë proces definitivisht po”, ka shtuar Shala.
Pas ankesave të qytetarëve KESCO gjatë së mërkurës ka dalë me një reagim duke thënë se deri më tani 400 mijë konsumatorëve deri me tani u janë lexuar njehsorët, dhe se 86% prej tyre kanë pranuar fatura nën 100€.
“Pra, nga numri total i leximeve, del që vetëm 14% e konsumatorëve kanë fatura 100€ ose më tepër”, thuhet në njoftim. Ato fatura që janë në shpenzim më të madh, bëhet fjalë për dy shërbime në një, pra për furnizim me energji elektrike dhe për ngrohje”, thuhet në reagimin e KESCO-s.