Deputeti Shkreta: Reforma në skemat sociale të përfshijë menaxhimin e integruar

Prishtinë | 13 Shk 2024 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Mirsad Shkreta, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje të martën para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale kërkoi që reforma në skemat sociale, të përfshijë menaxhimin e integruar.

Kjo gjë, ai kërkoi të bëhet kur të nisë shkrimi i strategjisë për skemat sociale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkreta pyeti ministrin Murati nëse është zvogëluar numri i përfituesve apo është bërë menaxhim më i mirë, sepse sipas tij, statistikat tregojnë rënie të familjeve në nevojë.

Shkreta theksoi se me rastin e hartimit të dokumenteve legjislative, duhet të merret parasysh identifikimi dhe rehabilimiti i familjeve, dhe jo vetëm punësimi.

Sipas tij ka pasur raste kur janë punësuar personat nga këto familje, por ata janë kthyer sërish në asistencë sociale.

Deputeti tha se duhet të bëhet monitorim më i madh dhe përkujdesje më e veçantë te këto raste.

Demi-Murtezi: Pozitive propozim-ndryshimet e reja në skemat sociale

(Përditësuar, ora 12:21)-  Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, tha se ndryshimet në skemat sociale do ta largojnë diskriminimi për asistencën sociale vetëm për familjet që kanë fëmijë nën moshën 4 vjeçare.

Ajo përmendi edhe vizitat që Ministria ua bën të moshuarve e veçanërisht pensionistëve, si një aktivitet pozitiv.

“Për personat e verbër, paraplegjikët dhe tetraplegjikët duhet pasur më shumë kujdes” tha Demi-Murtezi.

Sipas saj, ankesat që kanë marrë në Komision janë që ajo kategori nuk trajtohen mirë.

Deputetja kërkoi që para draftimit të këtyre strategjieve, të konsultohen me të gjitha kategoritë.

Deputeti Dreshaj pyet ministrin Murati për numrin e përfituesve deri më tani nga skema e re pensionale

(Përditësuar, ora 12:13)-  Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është ballafaquar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, i cili e pyeti se sa është nurmi i përfituesve të skemës pensionale.

Dreshaj tha se ka punë të madhe për t’u bërë sa i përket çështjeve sociale dhe pensionale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se kur është miratuar Ligji për skemat pensionale, është thënë se 70 mijë persona do të përfitojnë, por nuk ka shifra. Andaj, pyeti ministrin se sa persona deri më tani kanë përfituar nga skema e re pensionale.

“Ligji së shpejti, që një vit keni kërku mbështetje për marrëveshjen ndërkombëtare, u’a kemi dhënë, por ende nuk ka ligj për skemat pensionale”, tha ai.

Deputeti Dreshaj vazhdoi më tutje duke thënë se është problematike qysh është vendosur kriter data 1 janar 1999 si datë përfundimtare për përfitim të skemës pensionale.

Ministri Murati kritikohet për vonesat në reformën në skemat pensionale dhe sociale

(Përditësuar, ora 12:04)- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është kritikuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, për vonesat në reformën pensionale dhe sociale.

Deputeti Haxhiu, në fjalën e tij tha se në programin qeverisës është premtuar ristruktimi i skemave sociale dhe pensionale, me qëllim të uljes së varfërisë, por Projektligji për këto çështje që nga viti 2021 vazhdon të bartet në secilin program legjislativ.

“Keni premtu ridizajnim për punësimin e familjarëve me asistencë sociale, asnjë nuk është bërë, më shumë ka përfitim për bankat sesa për të varfërit, të varfërve vazhdon t’iu rritet varëfëria, keni premtuar ndryshimin e pushimit të lehonisë dhe prindëror, por ende ligj nuk ka”, tha ai.

Haxhiu tha se është premtuar skema pensionale dhe kjo nuk po shihet që është në agjendën legjislative.

“Po dëgjojmë se keni me bë këtë vit, por ende nuk po shihet”, shtoi Haxhiu.

Deputeti Haxhiu, përmendi diskriminimin që Qeveria ua ka bërë veteranëve, paraplegjikëve dhe grupeve të tjera të cenuara me ligjin për pagën minimale.

Ai tha se invalidëve të UÇK-së dhe invalidëve civilë të luftës, ende u është siguruar riparimi i protezave.

Kurse, deputeti i Vetëvendosjes, Burim Meta përmendi angazhimin e Komisionit për reformën në skemat pensionale dhe sociale.

“Kemi bërë kërkesë që për skemat pensionale dhe sociale të merremi edhe më herët. Por, nuk është bërë deri më tani”, tha ai.

Sipas tij, ministri Murati është njëri ndër ministrat më punëtorë, por ka munguar mbështetja nga aspekti social dhe human nga ai si ministër.

Meta tha se ka parashtruar shumë pyetje parlamentare në seancë ndaj ministrit, por nuk ka marrë përgjigje deri më tani.

Sipas tij, në Kosovë janë tetë familje strehimore, aktualisht është një kërkesë që në secilën komunë të jenë së paku pesë familje strehimore që do të kujdesen për fëmijët.

Tutje, ai përmendi edhe çështjen e personelit shëndetësor që të përkrahen me 30% të pagës bazë në mënyrë që ata të mos e lëshojnë Kosovën.

Murati raporton për skemat pensionale dhe sociale: Ligji parasheh heqjen e diskriminimit që aktualisht është në Ligjin bazik

(Përditësuar, ora 11:57)– Në mbledhjen e së martës të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë raportimit tha se Kuvendi së shpejti do ta ketë Projektligjin dhe se i njëjti parasheh heqjen e diskriminimit për skemat sociale që është aktualisht në Ligjin bazik.

Sipas Muratit, Kuvendi ka ratifikuar marrëveshjen me Bankën Botërore, edhe pse me vonesë nga ana e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se është përzgjedhur koordinatori dhe stafi, dhe se këtë vit do të fillojë pilotimi dhe paralelisht janë duke punuar drejt finalizimit.

“Kuvendi do ta ketë shpejt këtë Projektligj, por jemi duke pritur rezultatet nga pilotimi në terren. Ligji parasheh heqjen e diskriminimit që aktualisht është në ligjin bazik”, tha Murati.

Murati premtoi se do të ketë përmirësim sa i përket zbatimit të skemave sociale.

Tutje, ai tha se skema parasheh që nëse dikush nga familjet me skema sociale punësohet, zbritja e të ardhurave nga skema sociale do të bëhet gradualisht.

“Inkurajimi për të punuar do të jetë njëri ndër objektivat e kësaj reforme”, tha Murati.

Sa i përket skemave pensionale, ai tha se Qeveria këtë vit ka për synim skemat pensionale të moshës, që ka të bëjë me kontributet bazike dhe ato kontributdhënëse.

Ai kërkoi bashkëpunim me Fondin Pensional, Bankën Qendrore dhe palët e tjera të interesuara.

Ky Komision, të martën është mbledhur për të diskutuar lidhur me strategjinë legjislative lidhur me skemat sociale dhe pensionale për vitin 2024 si dhe planet dhe prioritetet për fushën e skemave sociale dhe pensionale për vitin 2024.

Strategjia për skemat pensionale dhe sociale, ministri Murati raporton sot në Komision

Prishtinë– Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale do të mbajë sot mbledhjen e radhës, në të cilin pritet të raportojë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Murati do të raportojë përpara deputetëve të Komisionit lidhur me strategjinë e skemave pensionale dhe sociale për vitin 2024.

Mbledhja pritet të fillojë në ora 11:00.

Po ashtu, në këtë mbledhje pritet të diskutohet për fushën e skemave sociale dhe pensionale për vitin 2024. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme