Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, të mërkurën shqyrtoi raportin me amendamente të Komisionit funksional për Projektligjin nr.08/L-258, për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mbajtur me 6 shkurt 2024.
Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi rendin e ditës me 7 vota për dhe dy abstenim, ndërsa miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mbajtur me 6 shkurt 2024, e miratoi me 8 vota për dhe një abstenim, raporton Ekonomia Online.
Shqyrtimi i raportit me amendamente i Komisionit funksional për Projektligjin nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë, u votua me 7 vota për me tre abstenime.
Zëvendëskryetari i Komisionit, Hidajet Hyseni, tha se do ishte mirë të organizojmë vizita me komunitetin boshnjak. Deputeti i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Enis Kervan, bëri kërkesë që të nisin takimet me komunitete nga komuna e Prizrenit dhe Lipjanit.
“Të takohemi në Prizren dhe Lipjan si fillim, të shohim se si funksionon, deri më sot nuk kemi pas takime më mirë është në mënyrë institucionale të takohemi. Them në Lipjan sepse janë komunitete që jetojnë atje dhe nuk kanë përfaqësim në nivel qendror. Ne kemi një kryetar do ishte mirë me bë rotacion dhe komunitete jo shumicë me e udhëheqë këtë komision”, tha ai.
Hyseni i bëri replikë duke thënë se pajtohet me këtë çështje. “Në vizitat që i kemi bërë nuk kemi veçuar vetëm me përfaqësues komunal kjo më së miri organizohet bashkërisht me komuna dhe pajtohem. Kam kërkuar disa herë të drejtoj mbledhjen, çështja është se nuk e rregullojmë ne por në kuadër të njësisë”, tha ai.
Kervan kundërshtoi Hysenin duke thënë se e vendosin vetë si komision kush do e udhëheq.
“Ne e vendosim sepse jemi komision i komuniteteve, mendoj se tash duhet me pas rotacion pasi komuniteti boshnjak është më mirë që ta udhëheqë komisionin”, shtoi Kervan.
“Me rregullin tonë do ishte përfaqësuesi i komuniteteve, me bindje se kjo shpesh ka qenë sipas rregullit dhe është vendos sipas kryesisë, përveç tjerash zëvendës kryesuesi i parë dhe i dytë, kjo ka qenë e mundshme të shtohet dhe rregullohet por mendoj prapë se është çështja që duhet t’i drejtohet kryesisë”, ia ktheu Hyseni.